Në demokraci ka një rregull të pashkruar! Kurrë mos i bëso vetëm votës, pasi ajo edhe mund të gënjejë. Vota tingëllon si legjitime, e drejtë, përfaqësuese, por nuk mjafton për të mbajtur një shoqeri në një ekuilibër të shëndetshëm. Dhe koha sidomos këto 34 vite demokraci të brishtë shqiptare, ka treguar pikërisht aksiomën sipas së cilës “një mandat është pak, ndërsa dy janë shumë”! Paradoksalisht kemi hyrë në mandatin e katërt të një mazhorance, ç’ka hedhë në erë çdo aksiomë e precedentë që mund të na vijë edhe nga vende më të përparuara si Gjermania apo Anglia. E mandati i katërt i Ramës me të tijët, u duk si një normalitet që po shndërrohet në një makth për vetë atë, në më pak se dy muaj.

Mandatet e tejzgjatura të një mazhorance si rregull më shumë se sa produkt i sukseseve të tyre, janë pasojë e opozitave të dobëta, ku si fabula opozitare ashtu edhe leadershipi janë shumë të pabesueshëm. Ndaj shoqeritë i zë poshtë inercia e ndryshimit të panevojshëm, por që në fund pavarësisht nga dobësia e opozitave, koha e tejzgjatur shëmb papritur stanjacionin dhe vetë fitimtarët. Ky rregull është provuar në mandatet e zgjatura të CDU në Gjermani e Konservatorëve në Britani, dy vende ku edhe po mos të ketë fare qeveri, gjërat funksionojnë për shkak të demokracisë dhe institucioneve të konsoliduara, ku sundon ligji dhe jo personi. Dhe pikërisht këtu qëndron dhe tragji-komedia e situatës aktuale në Shqipërinë e mandatit të katërt të Ramës. Pikërisht atëherë kur asgjë nuk përbënte më lajm, as fitorja e thellë e PS dhe as humbja e rradhës e opozitës, skena politikë pësoi një krisje të madhe.

Pikërisht marrja nën akuzë e zëvendëskryeministres Balluku, që nuk është as e para dhe as fundit zyrtare shumë e lartë që përfundon në dyert e SPAK, ka çatrafillosur mazhorancën e stërprovuar në skandale dhe opozitën e rregjur në pafuqinë e vetë. Por kjo situatë nuk po kalon si një etapë e krizës së stërzgjatur të tranzicionit shqiptar. Thjeshtë i ka kapur në befasi të gjithë, megjithëse shumë e prisnin!

Së pari, sepse Rama vetë nuk ka më luksin të tregojë me gisht “dardhangrënësin” e rradhës, pasi zëvendëskryeministrja është njëriu më i afërt i tij politikisht dhe institucionalisht. Së dyti, sepse vetë Balluku nuk përngjason me personazhe hibride si Veliaj apo Ahmetaj që duke folur shumë, nuk po thonë asgjë. Heshtja e Ballukut është ulëritëse, duke lënë të kuptohet se nuk është as kurbani i radhës e as eunuku i heshtur i Ramës. Si mëkëmbëse ka lënë të kuptohet se nuk është ajo problemi, por vetë Kryeministri. Dhe ka të drejtë, pasi banaliteti i “dardhave pas kurrizit” tashmë është konsumuar për shkak të mbingopjes me këtë gënjeshtër dhe së dyti sepse një Kryemistër i kapur aq shumë pas pushtetit e aspak ndaj qeverisjes, nuk mund të mos ketë rol në punët e rëndësishmne për të cilat akuzohet zëvendësja e tij e gjysma e agjencive qeveritare në varësi.

E prova më e qartë që gjërat qëndrojnë pikërisht kështu, është frika e Ramës për të ndërmarrë iniciativën e shkarkimit apo edhe thjeshtë të kërkesës për dorëheqje. Balluku këtë e di mirë, dhe në të drejtën e saj për të mos u bërë “mish për top” i gënjeshtrave të stërzgjatura të kryeministrit, ka vendosur mos të lëshojë asgjë nga përgjegjësia e saj për t’i dhënë frymëmarrje të pamerituar mandatit të katërt të PS. Ose Balluku qëndron përballë drejtësisë në përpjekje për ta mposhtur atë në betejën ligjore që sapo ka nisur, ose rrëzon qeverinë e mazhorancës që e drejton më së paku që nga nisja e mandatit të tretë. Rrugë të mesme nuk ka. E meqënëse prej kohësh duket se drejton dhe gjysmën e opozitës më të madhe, nuk ka asnjë arsye të ndjehet e dobët.

Në pamje të parë kjo është një dialektikë e prodhuar nga ngjarje spontane si çështjet nën hetim. Por në fakt nuk është kështu. Rasti Balluku ka zbuluar kalbjen e qeverisjes në mandatin e katërt, një mandat që Rama nuk duhet as ta kërkonte e aq më pak të lufonte aq fort ta merrte. Jo vetëm sepse siç thuhet në bulevardin politik të Tiranës, i është kërkuar nga miq të Shqipërisë të mos e bëjë e të gjente një arsye për t’u larguar. Por sepse edhe vetë ai duhet ta kuptonte se mandati i tretë ishte absurd, ndërsa i katërti një çmenduri. Pikërisht duke kuptuar brishtësinë e demokracisë e institucioneve shqiptare, që ai i përshkruante aq stilistikisht sa ishte në opozitë.

Por mesa duket pushteti për politikanët shqiptarë shndërrohet nga detyrë qytetare në obsesion. E i përzier me korrupsion e lidhje të dukshme me krimin, shndërrohet në imperativ kategorik. Ky ishte pikërisht edhe gabimi fatal. Tashmë është vonë për të reflektuar. Ose Rama përmes Ballukut do të mposhtë drejtësinë e do të shohë nga mandati i pestë, ose përndryshe siç ka shumë gjasa të ndodhë, do eskpozohet përballë drejtësisë si puçist dhe do i duhet të përballët më qytetarët, por këtë herë jo në teatrin e luajtur me Berishën. Por në sheshet që janë zbrazur nga hipokrizia e PD dhe mund të mbushen nga shqiptarë që në shumicë janë të tejngopur nga mandatet e Ramës.

Zgjedhjet e 9 nëntorit e dhanë mesazhin e parë. E gjithashtu historia e këtyre 34 viteve ka treguar se Lëvizja Studentore e 1990 lindi thuajse nga hiçi, e protesta e ’97-ës nga disa anonimë që i vunë vetes emrin “komitete shpëtimi”. Se ç’do të ndodhë askush nuk e di me siguri, por Merkel e Cameron dinë diçka nga këto punë. Vetëm se ata ndryshe nga Rama nuk ikën as si të korruptuar e as si pengje të krimit të organizuar, por veçse si politikanë që e kuptuan se kur nuk ke çfarë të bësh më në pushtet, mirë është të largohesh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb