Deputeti i PD-së, Luan Baçi foli sot për aksionin opozitar me nismën më të fundit siç është ‘foltorja’ para Kryeministrisë.
I ftuar në programin e drekës në News24, përballë moderatores Ola Bruko, Baçi tha se nuk ka rëndësi emërtimi ‘foltore’ apo protestë, por mesazhi që përcjell.
“Asgjë nuk ka ndryshuar me protestën. Dikush i thotë ‘foltore’ apo protestë, apo takim me qytetarët. Në fak është ‘foltore’, takim me qytetarët, ndërsa lindi pas bllokimit të fjalës së opozitës në Kuvend. Menduam se si mundet që të komunikojmë me qytetarët për të thënë fjalët tona. Ne u munduam që mos të jepnim asnjë shkak që maxhoranca të mos mbyllte diskutimet. Ajo ditë ka qenë e trishtë, kur u mbyllën diskutimet për ligjin për barazinë gjinore. Në një shkollë në Tiranë, në një gjimnaz është përhapur një broshurë ku flitet për gjinitë. Duhej një referendum për këtë çështje. E di çfarë na ndodhi sot në Komision, kryetari Boçi kërkoi thirrjen e ministres së Arsimit, maxhoranca votoi kundër. Sot pranuan që rasti i borshurës në këtë shkollë ishte shqetësuese dhe se duhej parë, por votuan kundër thirrjes së ministres se nuk kishin urdhër partiak. Vendosëm që të protestojmë dhe për rastin e zëvendëskryeministres, e dyta në radhë e akuzuar nga SPAK. Nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo foltore, pak rëndësi ka, por rëndësi ka mesazhi që japim.”, tha ai.
