Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka lëshuar akuza të forta gjatë mbledhjes së Komisionit të të Drejtave të Njeriut, ku ka kritikuar gjendjen sociale dhe ekonomike të vendit, si dhe reagimin e qeverisë ndaj situatave emergjente. Gjekmarkaj tha se sot bashkëjetojnë disa “Shqipëri”: ajo e propagandës, ajo e ëndrrave dhe ajo reale. “Kemi Shqipërinë e varfërisë, Shqipërinë që digjet verës dhe përmbytet dimrit. Asnjëherë fajin nuk e ka qeveria, e ka natyra,” theksoi ai.

Duke ndalur tek pensionistët, deputeti deklaroi se realiteti i të moshuarve është i vështirë dhe krejt i largët nga çfarë deklarohet zyrtarisht.
“Kam dy pensionistë në shtëpi dhe e di më mirë se kushdo çfarë do të thotë të jetohet me pension. Po të mos kishte inceneratorë dhe abuzime me tunelin e Llogarasë, sot pensionet do të ishin më të mira,” u shpreh Gjekmarkaj. Deputeti denoncoi edhe situatën e rënduar nga përmbytjet në Lezhë, duke thënë se dita e djeshme ka shënuar dëme të mëdha në zonë.
“Deti ka dalë deri tek banesat, duke shkaktuar jo vetëm përmbytje e dëme, por edhe shkatërrim të tokave, pasi uji me kripë i kthen ato në tokë të papjellore. Ndërkohë, asnjë masë nuk është marrë,” deklaroi ai.

Gjekmarkaj ngriti shqetësim edhe për protestën e minatorëve të Spaçit në Mirditë, duke akuzuar një kompani private për shkelje të dinjitetit të tyre dhe mungesë reagimi nga institucionet.
“Kjo është e papranueshme. Kur qeveria e pranon këtë, ajo kthehet në fajtore. Sot në orën 12 ka protestë dhe nga ky komision ne shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: