Ukraina mori ditën e sotme sulmin ndaj dy cisternave të naftës në Detin e Zi, duke deklaruar se i goditi ato me dronë detarë që synonin anije të “flotës hije” ruse, të përdorura nga Moska për të shmangur sanksionet perëndimore.

Një burim nga shërbimet e sigurisë ukrainase (SBU) tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve se cisternat Kairos dhe Virat u goditën nga dronët “Sea Baby” gjatë një operacioni të përbashkët të SBU-së dhe Marinës Ukrainase.

Sipas këtij burimi, anijet ishin bosh në momentin e goditjes dhe “po shkonin drejt portit rus të Novorossijskut” për t’u rimbushur me hidrokarbure.

“Pamjet video tregojnë se, pasi u goditën, të dy cisternat pësuan dëme të rënda dhe praktikisht dolën jashtë funksionit. Kjo përbën një goditje të madhe ndaj transportit të naftës ruse,” tha një zyrtar i SBU-së, i cili foli në kushte anonimati dhe u citua nga agjencia Reuters. Ai nuk specifikoi se kur u krye saktësisht sulmi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb