Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë qytetit Stockton në Kaliforni, ku katër persona, mes tyre tre fëmijë, kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri. 11 të tjerë mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në spitalet lokale.
Zëdhënësja e Zyrës së Sherifit të Qarkut San Joaquin, Heather Brent, konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se ndër ta kishte edhe të mitur. Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën në një restorant ku dyshohet se një familje po festonte ditëlindjen e një fëmije.
Sipas deklaratave të para të policisë, ngjarja mund të ketë qenë një sulm i qëllimshëm. “Indikacionet fillestare sugjerojnë se mund të ketë qenë një bastisje e synuar dhe hetuesit po shqyrtojnë të gjitha mundësitë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Sherifit, e cila shtoi se puna hetimore vazhdon për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.
Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që kanë informacione, pamje filmike ose që kanë qenë dëshmitarë të incidentit të kontaktojnë menjëherë zyrën e sherifit. Regjistrimet e thirrjeve të emergjencës pas të shtënave treguan situatën dramatike në vendngjarje. “Shikojmë fëmijë të mbuluar me gjak, ndërhyni,” dëgjohej në një prej komunikimeve. Një tjetër thirrje raportonte: “Pashë një të ri me armë duke ikur me vrap.”. Kur forcat e rendit mbërritën, gjetën disa nga viktimat të shtrira në parkingun e restorantit.
Dëshmitarët i dhanë policisë një përshkrim të autorit të dyshuar: ai raportohet të ketë qenë rreth 1.68 metra i gjatë dhe i veshur me pantallona të zeza. Agjentët e FBI-së janë përfshirë gjithashtu në hetim. “Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha skenarët dhe po punojnë për të përcaktuar se çfarë mund të ketë çuar në këtë tragjedi,” deklaroi policia lokale.
