Çdo pikë ka rëndësi në një garë gjithnjë e më të nxehtë për Kampionatin Botëror të Formula 1. Dhe çdo pilot mund të bëjë diferencën, qoftë duke garuar në betejën e kampionatit apo thjesht duke qenë spektator në përballjen trepalëshe midis Lando Norris, Maks Vershtapen dhe Oskar Piastri.
Kjo është ajo që i ndodhi dje në Katar italianit të ri Kimi Antonelli. Ndërsa ai po renditej i katërti në garë, duke dhënë një performancë të fortë për Mercedes-in e tij, ai e gjeti veten nën sulm në fazat e fundit të garës nga lideri i kampionatit Lando Norris. 19-vjeçari nga Bolonja luftoi shumë për ta mbajtur britanikun pas vetes, ndërsa, nga ana tjetër, përpiqej t’i afrohej vendit të tretë Karlos Sainz në një përpjekje për të rrëmbyer një vend në podium. Megjithatë, me dy xhiro për të shkuar, Antonelli bëri një gabim që i lejoi Norris të përfitonte nga pozicioni i gjerë i Mercedesit dhe të kalonte, duke zënë kështu vendin e katërt në flamurin me kuadrata dhe duke shtuar dy pikë të rëndësishme në totalin e tij.
Situata shkaktoi një breshëri kritikash kundër Antonellit, i cili u akuzua se e la të kalonte me dashje rivalin e tij të MekLaren. Akuza erdhi kryesisht nga konsulenti i Red Bull, Helmut Marko, i cili deklaroi pas garës: “Ndodhi dy herë që Kimi i bëri pak a shumë shenjë Landos të kalonte. A ishte me qëllim? Natyrisht. Dhe herën e parë ishte e njëjta gjë.”
Një akuzë e ashpër ndaj së cilës drejtori i ekipit Mercedes, Toto Uolf, iu përgjigj menjëherë: “Kjo është një absurditet i plotë që më lë pa fjalë edhe vetëm duke e dëgjuar. Po luftojmë për vendin e dytë në kampionat, gjë që është e rëndësishme për ne. Kimi po luftonte për një vend të tretë të mundshëm në atë moment. Sa budalla duhet të jesh për të thënë diçka të tillë dhe për të menduar se e la të kalonte me qëllim? Dhe e gjithë kjo më bezdis edhe më shumë sepse jam tashmë i bezdisur nga vetë gara, nga mënyra se si shkoi, dhe pastaj duhet ta dëgjoj këtë absurditet.”
Antonelli, gjithashtu shumë i qartë për këtë çështje, shpjegoi se çfarë ndodhi dy xhiro para fundit: “Shtyva fort për të qëndruar përpara Norris, dhe për fat të keq, në fund, shtyva pak shumë fort. Humba kontrollin në kthesën 9 dhe më pas pata një mbikthesë të rëndë. Pata fatin ta shpëtoja makinën, por për fat të keq, e humba pozicionin ndaj MekLaren.”
Pavarësisht shpjegimeve të shpejta për atë që ndodhi, piloti i ri u kërcënua me vdekje në rrjetet sociale. Brenda natës, ai madje hoqi foton e profilit të tij në Instagram.
Red Bull, duke kuptuar seriozitetin e situatës, lëshoi një deklaratë zyrtare duke u tërhequr dhe i kërkuar falje pilotit emilian: “Komentet e bëra gjatë dhe pas GP të Katarit, në lidhje me pilotin Antonelli që lejoi qëllimisht Norris ta tejkalonte, janë qartësisht të gabuara. Pamjet me lëvizje të ngadalta tregojnë se Antonelli humbi kontrollin e makinës, duke i lejuar kështu Norris të kalonte. Na vjen sinqerisht keq që kjo ka çuar në abuzimin e Kimit në internet.”
