Janë zbuluar masat e sigurisë për foltoren e tretë të organizuar nga Partia Demokratike, e cila pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 përpara godinës së Kryeministrisë. Ndërhyrjet kanë nisur që në orët e para të ditës, me kufizime të dukshme në qarkullim dhe kontrolle të shtuara në zonën përreth.

Raportohet se bllokimi i qarkullimit në bulevard ka nisur tashmë, dhe nga ora 15:00 deri në përfundimin e tubimit do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në segmentin që nis nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”.

Po ashtu, të gjitha rrugët që lidhen me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza” do të jenë të bllokuara, duke ndikur në qarkullimin e automjeteve.

Në dy foltoret e mëparshme janë angazhuar rreth 500 efektivë policie, ndërsa për këtë protestë pritet të jenë të dislokuar rreth 300 efektivë, një numër më i ulët se herët e tjera.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, përballë Kryeministrisë nuk është vendosur gardh metalik, megjithëse masat e sigurisë mbeten të forta.

Pjesë e masave janë edhe përdorimi i kamerave të sigurisë për monitorim të vazhdueshëm, lyerja me graso e shtyllave elektrike, për të shmangur ngjitjen apo dëmtimet dhe ndalimi i autoveturave të televizioneve për t’u parkuar përpara Kryeministrisë, një rregull që nuk ishte zbatuar në foltoret e mëparshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb