Ditën e sotme presidenti amerikan, Donald Trump do të kryesojë një mbledhje në Zyrën Ovale për të diskutuar hapat e ardhshëm të SHBA-së ndaj Venezuelës, në një kohë kur Uashingtoni po rrit presionin ndaj vendit përmes operacioneve kundër objektivave detarë dhe një pranie të shtuar ushtarake në Karaibe.

Sipas burimeve, në takim pritet të marrin pjesë figura të larta të kabinetit dhe ekipit të sigurisë kombëtare, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Pite Hegseth, shefin e Forcave të Armatosura, gjeneralin Dan Kane, Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Ëiles, dhe zëvendësshefin e stafit, Stephen Miller.

Mbledhja, e planifikuar për në orën 17:00 (me atë lokalen), zhvillohet në një periudhë kur SHBA-të kanë rritur trysninë ndaj Venezuelës duke goditur anije të dyshuara për trafikun e drogës dhe duke forcuar praninë ushtarake në rajonin e Karaibeve. Javën e kaluar Trump deklaroi se SHBA-të do të ndërpresin “shumë shpejt” edhe trafikun e drogës në tokë, jo vetëm në det.

Gjatë fundjavës, Trump publikoi një paralajmërim të gjerë në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje linjave ajrore, pilotëve dhe rrjeteve kriminale të shmangnin hapësirën ajrore të Venezuelës.

Ai konfirmoi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin venezuelian Nicolás Maduro, pa dhënë detaje për përmbajtjen e diskutimit.

Mbledhja në Shtëpinë e Bardhë zhvillohet ndërkohë që anëtarë të Kongresit vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje lidhur me ligjshmërinë e sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në zonë, sulme që kanë shkaktuar vdekjen e mbi 80 personave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb