Qindra mbështetës të qeverisë Maduro demonstruan në rrugët e Karakasit, duke hedhur poshtë kërcënimet e Uashingtonit përpara takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së , Donald Trump, mbi Venezuelën .

Me qëllimin e deklaruar për të luftuar kartelet e drogës, SHBA-të kanë vendosur një forcë të fortë ushtarake në Karaibe për muaj të tërë, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen më të madhe dhe më të përparuar në botë (USS Gerald R. Ford).

Të dielën, Donald Trump konfirmoi se foli në telefon javën e kaluar me Presidentin Venezuelan Nicolas Maduro – i cili beson se Uashingtoni po përdor goditjen ndaj trafikut të drogës si pretekst “për të imponuar ndryshimin e regjimit” në Venezuelë dhe për të sekuestruar rezervat e mëdha të naftës në vend.

“Ne jemi një vend i lirë, nuk duam luftë, duam paqe!” tha për AFP-në Narciso Torrealba, 68 vjeç.

“Jemi të gatshëm për dialog me këdo që duhet të flasim, por nuk do të heqim dorë kurrë nga sovraniteti ynë kombëtar, nuk do ta shesim kurrë atdheun tonë”, tha Cirilo Cazorla, 54 vjeç.

Që nga fillimi i shtatorit, forcat amerikane kanë nisur sulme ajrore në Karaibe dhe Paqësor kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge. Më shumë se 20 anije janë shkatërruar deri më sot, me të paktën 83 persona të vrarë. Këto kanë qenë “vrasje jashtëgjyqësore”, sipas OKB-së.

Të shtunën, Trump deklaroi se e konsideronte hapësirën ajrore të Venezuelës “të mbyllur”, një mesazh që çoi në anulimin e fluturimeve nga të paktën gjashtë linja ajrore. Në shenjë hakmarrjeje, Maduro revokoi licencat e operimit të këtyre linjave ajrore në vend.

Ne po luftojmë për “mbrojtjen e vendit tonë, mbrojtjen e sovranitetit tonë kombëtar, mbrojtjen e burimeve tona”, tha zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, në televizionin shtetëror gjatë demonstratës.

Pavarësisht “kërcënimeve të tyre, strategjive të tyre idiote të luftës psikologjike (…) gënjeshtrave dhe shpifjeve të tyre, ne do të vazhdojmë (luftën) në rrugë” për të mbrojtur atdheun, tha presidenti i Dhomës, Jorge Rodriguez.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb