Gjykata Kushtetuese do të vendosë në seancën e mbledhjes së gjyqtarëve lidhur me ankimimin i Edi Ramës për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, ndërkohë që nuk bëhet e ditur se kur do të mbahet mbledhja për të dhënë verdiktin final.

Në seancë do të vendoset për shqyrtimin e ankimimit të qeverisë për pezullimin nga detyra të Ballukut, pas vendimit të dhënë nga GJKKO. Vendimi u mor pas aferave korruptive që implikojnë Ballukun në tunelin e Llogarasë dhe të Unazës së Madhe.

Kujtojmë se javën e kaluar shqyrtimi i kërkesës u shty për sot, ndërsa shkak u bë largimi nga gjykata Holta Zaçajt, e cila ishte pjesë e Kolegjit që do të trajtonte në dhomë këshillimi çështjen, dhe gjyqtarja që e zëvendësoi Marsida Xhaferllari, kërkoi kohë që të njihej me aktet.

Kushtetuesja duhet të shprehet fillimisht për shuarjen e efekteve të pezullimit, në pritje të një vendimi përfundimtar për çështjen.

HETIMI
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

Në të dy rastet dyshohet se fituesi është paracaktuar. Prokuroria e posaçme ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.

VENDIMI I KOLEGJIT
Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon:

Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.

Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

Screenshot 111
Screenshot 111

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb