Ndërsa presioni i Uashingtonit ndaj Venezuelës po ritet vazhdimisht me burimet se presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar ultimatum Nicolás Maduros për t’u larguar nga pushteti, regjimi i Karakasit sheh se ata që deri tani i konsideronte aleatë në “frontin kundër imperializmit”, Moska dhe Pekini, ndjekin nga larg luftën e tij për mbijetesë.
Për vite me radhë, Venezuela kishte qenë në pararojë të përpjekjes për të ndërtuar një bllok kundër SHBA, së bashku me Rusinë, Kinën, Iranin dhe disa vende të Amerikës Latine, si Kuba dhe Nikaragua.
Me këtë rrjet aleancash shpresonte të frenonte synimin e shpallur të Uashingtonit për ndryshim regjimi në Venezuelë.
Tani, në momentin që kriza kulmon dhe Trump po “hedh në tavolinë të gjitha kartat” për të zgjidhur “problemin Maduro”, Kuba dhe Nikaragua janë tepër të dobëta për të ofruar ndonjë ndihmë; Irani po përpiqet të rimarrë veten pas bombardimeve 12-ditore dhe kërkon kanale komunikimi me Perëndimin, ndaj nuk ka asnjë interes të përfshihet në një krizë të re për të mbështetur Maduros.
Sa për dy aleatët më të mëdhenj të Venezuelës, Rusinë dhe Kinën, edhe ato kanë problemet e veta dhe marrëdhënie të ndërlikuara me Trumpin. Moska nuk mund të përballojë hapjen e një fronti të ri pas luftës rraskapitëse në Ukrainë, aq më tepër në një moment kur marrëdhëniet midis Kremlinit dhe Trumpit duken të përmirësuara.
Edhe Pekini kërkon të shmangë një luftë të dëmshme tregtare me SHBA-në dhe çdo përfshirje në hemisferën amerikane vetëm do të përshkallëzonte tensionet.
As Putini, as Xi Jinping nuk duken të gatshëm të shpenzojnë kapital politik për t’i dalë në krah Maduros. Në 2018-n, Rusia kishte dërguar dy bombardues strategjikë me kapacitet bërthamor në Venezuelë në shenjë mbështetjeje. Por pas katër vitesh lufte në Ukrainë, diçka e tillë sot duket e pamundur.
Sipas raportimeve, përkundër një letre që Maduro i dërgoi Putinit për ndihmë, presidenti rus i ofroi vetëm dy cisterna nafte për t’i mundësuar Karakasit të eksportojë naftë në Kinë dhe të sigurojë disa të ardhura.
Nga ana tjetër, Xi kishte vënë në dispozicion miliarda dollarë në këmbim të eksporteve të naftës dhe, sipas raporteve të SIPRI-t, vetëm që nga 2020 Kina ka dhënë pajisje ushtarake me vlerë mbi 30 miliardë dollarë, duke ushqyer ambiciet e Maduros.
Ky bosht kundër SHBA-ve nisi që në kohën e Hugo Chavez-it, i cili shfrytëzoi rezervat e mëdha të vendit në naftë dhe minerale strategjike për të siguruar mbështetje politike nga Irani, Kuba dhe Nikaragua, si dhe financim nga Rusia dhe Kina.
Por aleanca filloi të lëkundej me rënien e prodhimit të naftës dhe trazirat politike pas marrjes së pushtetit nga Maduro në 2013. Kriza u përshkallëzua edhe më shumë me sanksionet amerikane ndaj industrisë së naftës në 2019.
Situata tani është rënduar edhe më shumë, jo vetëm për shkak të dislokimit të forcave të konsiderueshme amerikane në rajon, por edhe sepse – sipas mediave amerikane – Trump ka firmosur një “autorizim presidencial të fshehtë” që i jep CIA-s kompetenca të jashtëzakonshme për operacione të fshehta, përfshirë potencialisht dhe brenda Venezuelës.
Zyrtarisht, Trump e justifikon presionin me luftën kundër trafikut të drogës dhe me synimin për të rikthyer demokracinë në vend.
Rënia e regjimit venezuelian do të dobësonte shumë Kubën, e cila pa mbështetjen e Karakasit do të përballej me kolaps brenda pak muajsh, një objektiv tradicional i konservatorëve amerikanë dhe i Sekretarit të Shtetit, Rubio, me origjinë kubane.
Pa Madurom, gjithë Amerika Latine do të ishte më e lehtë për t’u influencuar nga SHBA. Por askush nuk e di sa larg është gati të shkojë Trump-i, duke rrezikuar madje edhe një përplasje ushtarake në Venezuelë, duke llogaritur se Rusia dhe Kina do të vazhdojnë të qëndrojnë në distancë.
