Opozita ka shprehur rezervat e saj sa i takon projektligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, që po shqyrtohet sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Gjatë fjalës së tij, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi pyeti përfaqësueset e ILDKP-së se çfarë parashikon ligji për rastin e konfliktit të interesit ku familjarë të deputetëve apo ministrave, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave publike. Ai solli në vëmendje rastin e Olta Xhaçkës, apo dhe abuzimet e zonjës Belinda Balluku.
Blushi: Pse lindi nevoja për këtë ligj? Do ju ftoja që të lexonit procesverbalin dhe të kuptoni se nuk na keni dhënë një përgjigje. A ka ky ligj fuqi prapavepruese? I referohem nenit 37 që flet për pronat publike. Një zyrtar i lartë përdor një të afërt të vetë për të marrë një pronë publike. Ju këtë vepër e klasifikoni si kundravajtje administrative. Kemi rastin e koleges tuja Olta Xhaçka, një i afërm i saj. Ka një vendim që se keni zbatuar. Si do i dënoni kolegët tuaja, do i dënoni me gjobë? Të vjedhë një pronë publike dhe më pas të dënohet me gjobë? E keni futur presidentin në këtë ligj dhe më pas thoni; nuk është subjekt i këtij ligji, vetëm në rastet kur është pjesë e një organi kolegjial. Presidenti ne përjashtoni nga konflikti i interesit në këtë ligj dhe më pas e përfshini në rastet kur është pjesë e organeve kolegjiale. Si do të veprohet me shumicën e të afërmeve të deputetëve të PS që janë fituesit më të mëdhenj të tenderave publike? Keni zv.ministrin e Brendshëm. Të afërmit e vetë kanë kompani që fitojnë tendera. Keni ish-deputetin e PS Sadri Abazi. Të gjithë fitohen nga të afërm të deputetëve të PS. Në këtë rast konflikt interesi çfarë parashikoni ju? Ju ngarkoni eprorin e institucionit për të marrë masa ndaj zyrtarëve. Por kur është eprori i institucionit në shkelje, si në rastin e ish-zëvendëskryeministres, çfarë parashikon ligji? Si veproni në këtë rast? Mori bashkish 50 mln euro, për ju është kundravajtje administrative, se ligji kështu thotë! Ky është një ligj që e ka bërë chatgpt.
Bylykbashi: A do ta bëjmë këtë ligj që të jetë efikas dhe të pengojë korrupsionin? Apo do e bëjmë thjesht një ligj që të ushtrohet presion! Personat që nuk janë zyrtarë dhe janë të lidhur me një zyrtar, do jenë në vëzhgim. Një gjyqtar magjistrat është gjobitur pasi familjari i tij diku ka bërë shërbim kateringu në restorantin e vetë. Nëse bëjmë gjera pa precizion, do të kemi gjëra që do të jenë të rrezikshme.
Strazimiri: Sot do të jetë diskutim në parim i ligjit. Mua më ka krijuar diçka paqartësi. Kam qenë vazhdimisht relator i raportit me disa kryetarë radhazi. Ligji i ILDKP-së ka qenë ligj i miratuar konsensualisht. Çdo kërkesë që ka ardhur nga ILDKP-ja është miratuar këtu. Pse lindi nevoja për një ligj të ri? Ku çalonte ligji aktual që kemi?
