Kanadaja ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Europian për t’u përfshirë në programin “Veprimi për Sigurinë në Europë” (SAFE).
Sipas zyrës së kryeministrit kanadez, Mark Carney, marrëveshja u jep kompanive kanadeze të industrisë së mbrojtjes akses më të gjerë në tregun europian.
“Pjesëmarrja e Kanadasë në SAFE do të mbushë boshllëqet e rëndësishme në kapacitete, do të zgjerojë tregjet për furnizuesit kanadezë dhe do të tërheqë investime europiane në industrinë e mbrojtjes në Kanada”, thuhet në njoftim.
SAFE është një program investimesh prej 150 miliardë eurosh për blerje pajisjesh ushtarake, u krijua këtë vit si pjesë e një nisme më të gjerë të Bashkimit Europian për të forcuar mbrojtjen deri në vitin 2030, në kushtet e shqetësimeve për një sulm të mundshëm rus dhe të dyshimeve mbi angazhimet e SHBA-ve ndaj sigurisë së Europës.
