Kjo javë është delikate dhe vendimtare për Partizanin, sa i përket vazhdimësisë. Sfida me Bylisin dhe më pas Tiranën, janë me rëndësi.
Dy rivalë direkt në luftën për mbijetesë, ndërsa Partizani numëron vetëm 1 pikë më tepër se Bylisi që mbyll zonën e ftohtë. Te Partizani ndërkohë janë pesë titullarë dhe trajneri Kërnaja, që në rast ndëshkimi kundër Bylisit do të mungojnë në derbin me Tiranën.
TË RREZIKUAR- Altin Bytyçi, Redon Ismaili, Vusal Isgandarli, Arafat Doumbia dhe Besar Gudjufi, nuk do të luajnë derbin e së dielës po të ndëshkohen me karton të verdhë ndaj Bylisit. Me përjashtim të Gudjufit, pjesa tjetër është aktivizuar në formacion si titullar prej javësh. Për këtë situata shfaqet alarmante. Bëhet fjalë për futbollistë nga mbrojtja në sulm.
TRAJNERI- Partizani po ashtu është në rrezik edhe me trajnerin Oltijon Kërnaja. Ky i fundit është ndëshkuar në tri ndeshje me karton të verdhë. Një tjetër karton ndaj Bylisit do të ishte fatal, pasi Partizani do të mbetej pa trajner në ndeshjen më të rëndësishme. Situatë e krijuar në momentin më të papërshtatshëm, ndërsa te Partizani duhet ta dinë si ta menaxhojnë.
BYLISI- Te Partizani janë të gjithë të gatshëm ndaj Bylisit. Kjo pasi ndaj Elbasanit u ndëshkuan me karton të verdhë vetëm Marjus Kola dhe Babukar Jata. Kërnaja vendosi ta zëvendësonte Kolën në fundin e pjesës së parë, për të mos e rrezikuar. Jata ndërkohë e mori kartonin në minutat e fundit të ndeshjes.
