Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë fjalës së tij në Parlament, deklaroi se vendi ndodhet në një “moment historik”, ku shkelësit e ligjit, pavarësisht pozicionit apo përkatësisë politike, po përballen më në fund me drejtësinë.

Shehaj akuzoi kryeministrin se po ushtron presion të hapur ndaj sistemit të drejtësisë, sidomos ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe prokurorëve të saj. “Kryeministri, që ka vartësen e vet të pandehur nga SPAK, po sulmon përditë drejtësinë, SPAK-un dhe prokurorët. Ata vetë kanë deklaruar që janë ndjerë të kërcënuar, dhe kjo është shumë e rëndë,” u shpreh ai.

Sipas Shehajt, ekzekutivi po përdor edhe Gjykatën Kushtetuese për të ushtruar trysni, ndërsa SPAK ka çuar para drejtësisë disa nga figurat më të larta të Partisë Socialiste. “SPAK ka nxjerrë para drejtësisë Ballukun, Ahmetajn, Veliajn, Beqajn e të tjerë. Të gjithë janë anëtarë të PS-së,” tha ai.

Në vijim, kreu i Partisë Mundësia tha se duke qenë se shumica e të hetuarve dhe të pandehurve janë zyrtarë të Partisë Socialiste, SPAK duhet të marrë zyrtarisht si të pandehur edhe vetë partinë, të cilën ai e akuzon se ka shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe institucionale në vend.

“PS i ka bërë dëm miliarda lekë Shqipërisë. Sot nuk ka ilaçe në onkologjik sepse PS i ka dhënë vendit disa qeveri të korruptuara,” përfundoi Shehaj, duke kërkuar një reagim më të fortë institucional dhe publik ndaj korrupsionit në nivele të larta të pushtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb