Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika, janë personat e arrestuar si autorë të tritolit të vendosur më 15 nëntor në një restorant në Kamëz.
Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë në vëmendje ngjarjet, ndërsa ka zbardhur lidhjet që çuan deri në vendosjen e lëndës eksplozive.
Pjesë nga dokumentari:
Që nga përfolja si shoqëruesi i fundit i mbretit të kumarit Ervis Martinaj, emri i tij thuajse ishte zhdukur nga qarkullimi. Ose të paktën kishte mbyllur telashet me drejtësinë dhe ishte kthyer në aktivitetin e tij të përditshëm larg zhurmës që krijoi si personi i fundit që u pa në të gjallë me tashmë mbretin e zhdukur të lojërave të fatit.
Ish-oficeri i Operacionales, Jeton Lami, që pasi kishte lënë qelinë e burgut si i përfshirë në zhdukjen e Martinaj, emri i tij doli sërish në skenë në një tjetër ngjarje kriminale.
Atë të vendosjes së një sasie lënde eksplozivi në një restorant në Kamëz, si një formë gjobëvënie ndaj pronarit të objektit të shërbimit që i ishte dhënë me qira një personi tjetër.
Por si u përshi Jeton Lami në këtë ngjarje dhe kush janë personat e tjerë të cilët po kështu dyshohen se janë autorët e vendosjes së eksplozivit në godinë? Çfarë tha Jeton Lami pasi u pyet nga grupi hetues dhe cilat janë kontradiktat që lidhin këtë ngjarje?
Shpërthim eksplozivi që u raportua në orët e para të mëngjesit të datës 15 nëntor dhe që tronditi edhe objektet që ndodheshin rreth tij, duke alarmuar edhe banorët në zonë që u zgjuan të frikësuar nga gjëmimi i tritolit që ishte vendosur në pragun e derës së restorantit, që në këtë orë ishte i mbyllur.
“Më datë 15 Nëntor 2025, rreth orës 02:30 të mëngjesit, policia e komisariatit nr.5 ka marrë njoftim se në restorantin ‘Perla e Detit’ në Kamëz në pronësi të shtetasit Sajmir Sina, që përdoret me qira nga shtetasi Klodian M, ka ndodhur një shpërthim.
Nga kqyrja e restorantit u konstatuan dëmtime të shumta në anën e pasme të tij si dhe dëmtime ngjitur me vatrën e shpërthimit.
Në brendësi të lokalit janë konstatuar dëmtime në pjesën e tavanit si dhe të abazhurëve”, thuhet në dosjen hetimore.
Por krahas dëmtimeve që u evidentuan, jo vetëm tek restoranti, por edhe tek pallatet në zonë, grupi hetues bëri edhe krehjen e kamerave të sigurisë në hapësirën përreth.
Kjo me qëllim për të parë lëvizjet e dyshimta të personave që kishin ndaluar në këtë orë pranë objektit të sulmit.
Ajo që u vu re ishte se pikërisht disa minuta përpara se të ndodhte shpërthimi pranë restorantit afrohet një person i maskuar. Pasi kryen disa lëvizje të koordinuara në derën e lokalit shikohet më tej teksa ai ikën me nxitim. Vetëm disa minuta nga largimi i tij ndodh edhe shpërthimi që shkatërron thuajse gjithçka.
Nga kqyrja e pjesshme e pamjeve filmike, rezulton se më datë 15 Nëntor 2025, në orën 02:27, në ambientet e jashtme të objektit të dëmtuar vihet re një person i veshur me xhup si ngjyrë jeshile me shirita fosforeshentë. Ky person shikohet më tej teksa qëndron i ulur dhe në dukje ndez një send, dhe më pas largohet duke ikur me vrap. Nga analiza e mëtejshme e pamjeve filmike, e lëvizjeve të personit të dyshuar, të ardhjes dhe të largimit të tij nga vendi i ngjarjes, konstatohet se pas vendosjes së lëndës plasëse, i njëjti person ikën në drejtim të zonës së Zall Mnerit, Kamëz. Teksa një orë më pas në orën 03:26 ai kalon përgjatë rrugëve dytësore prapa lokalit”, thuhet në dosjen hetimore.
Por edhe pse u munduan të identifikojnë personin që vendosi eksplozivin në derën e restorantit në pronësi të shtetasit Sajmir Sina, grupi hetues e pati të vështirë të bjerë në gjurmët e identitetit të tij. Kjo edhe për shkak të maskimit që ky i fundit kishte në momentin e vendosjes së tritolit.
Por për të kuptuar më mirë se çfarë kishte ndodhur, policisë iu desh të priste mbërritjen nga Italia të pronarit të objektit.
Sajmir Sina me të mësuar lajmin për shpërthimin me eksploziv në restorantin e tij të dhënë me qira, preu menjëherë biletën dhe vetëm disa orë më pas në mbrëmjen e datës 15 nëntor, u paraqit në Komisariatin nr 5 të Policisë në Kamëz, ku dha edhe deklaratën e tij të parë mbi ngjarjen. Ai hodhi dritë edhe mbi konfliktet që kishte me disa persona, ku njëri prej tyre i kishte vendosur dhe një gjobë të madhe të cilën ai nuk kishte pranuar ta paguante.
Për pasojë ai mendonte që ishte pikërisht ky konflikt dhe mospagimi i kësaj gjobe që kishin çuar edhe në vendosjen e eksplozivit në objektin restorant që ai kishte dhënë me qira.
Por çfarë ishte ky konflikt dhe si kishte nisur? Cili ishte roli i Jeton Lamit në këtë përplasje, dhe përse Sajmir Sina drejtoi gishtin ndaj tij si personi përgjegjës që mund të ketë çuar më pas në atë që ndodhi?
Cili është roli i Ervis Lamit, kushëririt të tij të shpallur në kërkim si protagonisti kryesor në këtë ngjarje dhe si mundi t’i shpëtonte ai policisë?
A është shndërruar Ervis Lami në tmerrin e bizneseve në Kamzë, të cilët detyrohen të paguajnë shuma të mëdha si gjoba?
Cili është profili i këtij personazhi, emri i të cilit del në dhjetëra dosje hetimore, që nga vrasjet deri te zhdukjet e personave? A ka raste të tjera të gjobëvënies, të pa raportuara nga biznesmenë të ndryshëm?
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, gjithçka duket se nis një vit më parë, kur Sajmir Sina, një shqiptar me banim në Itali, vendos të kthehet në Shqipëri dhe të investojë në objektin që ai kishte blerë në zonën më të frekuentuar të qytetit të Kamzës, në bulevardin ‘Blu’, që është edhe bulevardi kryesor i qytetit.
“Unë jetoj prej 25 vitesh në Itali, së bashku me familjen.
Në Shqipëri kam investuar në një pronë e cila ndodhet në ‘Bulevardin Blu’ në qytetin e Kamzës, pranë lokalit ‘Vila 23’.
Këtë pronë e kam blerë me qëllim dhënien e saj me qira si njësi shërbimi bar apo restorant, Ambientin e kam blerë gati dy vite më parë, në kohën që pallati po ndërtohej. Pasi përfundoi ndërtimi i pallatit unë investova në objektin që bleva me qëllim që kjo pronë të shërbente si restorant peshku”, ka dëshmuar ai në polici.
Por pikërisht këtu duket se fillojnë dhe problemet e vërteta për të zotin e pronës, i cili nuk e kishte menduar që shpejt kjo pronë do të kthehej në një dhimbje koke për të, pasi me të mbaruar investimin ai thotë se ia dha këtë objekt me qira dy shtetasve të cilët hapën aty një restorant peshku.
Por e pa ditur se një bisedë e lënë në mes dhe e pasqaruar me një tjetër shtetas, që kishte kërkuar më herët të merrte objektin me qira, do t’i sillte kaq shumë andralla në vazhdim.
Dhe ky shtetas sipas tij do të ishte Flogert Mezhika.
Me të, fillimisht kishin pasur një marrëveshje verbale midis tyre me qëllim që ky i fundit pasi të mbaronte ndërtimi i objektit, ta merrte me qira. Marrëveshje e cila nuk ishte finalizuar dhe që më pas kishte sjellë përplasje midis të dyve.
“Rreth muajit shtator 2025 pasi përfundova investimin në pronë unë lokalin ia dhashë me qira shtetasit Klodjan M., dhe një shtetasi tjetër me emrin Arben, që mbiemri nuk më kujtohet.
Kjo pasi ata më dukeshin njerëz të rregullt.
Me këta shtetas unë kam nënshkruar edhe një kontratë noteriale për qiranë e ambientit. Rreth orës 03.00 të datës 15 Nëntor 2025 mua më mori në telefon Arbeni, një nga qiramarrësit, i cili më tha se tek lokali kishin vënë lëndë shpërthyese dhe ishte dëmtuar objekti në pjesën e fasadës.
Gjë për të cilën ai më dërgoi edhe fotografi. Unë duke qenë se isha në Itali, u nisa menjëherë për në Shqipëri”, ka dëshmuar ai.
Por më tej në dëshminë e tij Sajmir Sina, tregoi edhe si kishte lindur konflikti me Flogert Mezhikën dhe si ra ai në kontakt me ish-efektivin e Operacionales, Jeton Lami.
Ose më saktë se si ky e fundit e kontaktoi dhe cila ishte biseda midis tyre, e cila nuk përfundoi aspak miqësore.
Lami i cili del se është shok me Flogert Mezhikën dhe sipas Sajmirit në takimin që pati me të, ai e gjobiti me një shumë të konsiderueshme parash, të cilën ai refuzoi ta paguajë.
“Zakonisht kur unë vi në Shqipëri, qëndroj në Kamëz dhe kafenë e konsumoj në lokalin ‘Vila 23’. Lokal që në dijeninë time e di se e ka një person me emrin Florin Domi, të cilin e njoh prej 2 apo 3 vitesh, por që me të nuk kam ndonjë shoqëri apo miqësi por thjesht përshëndetemi me njëri-tjetrin.
Rreth një vit e gjysmë më parë mua më ka marrë në telefon një person me emrin Flogert Mezhika i cili më tha se ishte i interesuar për të marrë me qira objektin tim me qëllim që ta shfrytëzonte si bar kafe.
Flogert Mezhika është shok me shtetasin Florin Domi dhe qëndron vazhdimisht për kafe tek lokali ‘Vila 23’”, dëshmoi Sina.
Në fillim biseda midis tyre duket se ka qenë miqësore.
Sajmir Sina tha për grupin hetues se fillimisht i kishte premtuar Flogertit se nëse do ta bënte ambientin lokal, do ta kishte në konsideratë ofertën e tij për ta marrë me qira, por në vazhdim duket se gjërat kanë ndryshuar.
Kjo për faktin se Sajmiri vendosi që ambientin në pronësi të tij ta kthente në restorant peshku, gjë që duket se zemëroi jo pak Flogert Mezhikën.
“Kur folëm në fillim me Flogertin unë i thashë se nuk e kisha vendosur se çfarë do të bëja me ambientin.
Por nëse do ta bëja lokal, Flogert Mezhika do ishte i pari që do ta merrte me qira.
Me kalimin e kohës unë mendova që ambientin ta bëja restorant, pasi do isha më i qetë dhe nuk do kisha as probleme me banorët e pallatit.
Për këtë arsye rreth muajit prill i thashë Flogert Mezhikës se e kisha vendosur dhe ambientin do e bëja restorant peshku, dhe për këtë arsye nuk mund t’ia jepja atij”, dëshmoi Sina.
Por nga sa shikohet më tej Flogert Mezhika nuk e ka përtypur aspak mirë këtë prerje në besë sipas të tij nga ana e Sajmirit dhe sipas këtij të fundit që këtu kishte nisur nga kërcënimet fillimisht verbale.
Kërcënime që më pas përshkallëzohen deri në konflikt fizik midis të dyve.
Flogerti që nga ana e tij pretendon se Sajmiri i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm të cilin do ta paguajë.
“Flogerti më tha ndër të tjera se unë i kisha shkaktuar një dëm rreth 50 000 euro, pasi sipas tij e kisha lënë në pritje dhe në fund nuk ia kisha dhënë me qira ambientin.
Për këtë arsye ai më tha se: ‘nuk do ta gëzosh këtë pronë’.
Unë nga ana ime i thashë Flogertit të shikonte punët e veta dhe të mos merrej më me mua”, tha ai.
Sipas Sajmirit, kërcënimet e Flogertit nuk u ndalën vetëm ndaj tij, por ai filloi të kërcënojë edhe qiramarrësit e lokalit.
Gjë që shpejt çoi edhe në një kacafytje midis të afërmve të tij dhe Flogert Mezhikës.
Ku në një nga këto episode, Sajmir Sina, pohon se ishte edhe vetë i pranishëm.
“Që nga debati i parë, sa herë vija në Shqipëri, unë vazhdoja të frekuentoja lokalin ‘Vila 23’ dhe ndërsa përshëndetesha me pronarin, shtetasin Florin Domi, me shtetasin Flogert Mezhika shikohesha por nuk flisnim.
Ajo që dua të theksoj është se Flogert Mezhika nuk u ndal vetëm te unë përsa i përket kërcënimeve por u tha edhe qiramarrësve të lokalit se: ‘nuk do ta gëzonin atë ambient pasi do ta merrte ai’.
Ndërsa në muajin korrik ose gusht, Flogerti erdhi dhe debatoi me nipin tim Amarild Leti, teksa në debat e sipër unë ndërhyra dhe u shtyva me duar me Flogertin.
Prej atij momenti, unë nuk kam patur më kontakte me të, por e kam parë tek ‘Vila 23’:, tha Sina.
Por ndërsa mendoi se problemi i tij me Flogert Mezhikën u mbyll këtu dhe ky moment mjaftonte për një sqarim midis të dyve, duket se pikërisht këtu për Sajmir Sinën nis një telash tjetër edhe më i madh, se sa një shkëmbim pakënaqësish midis tij dhe atij që pretendonte lokalin me qira.
