Humbja e fundit në shtëpi kundër Teutës në shifrat 0-1 jo vetëm që ishte e para këtë edicion në “Loro Boriçi” për Vllazninë, por la edhe një shije të “hidhur”. Duke “tundur” në njëfarë mënyre ambientin e klubit kuqeblu, që në këto momente duket se është futur në një krizë në kampionat.

E para këtë sezon për ekipin e Martinit që kryesonte tabelën e klasifikimit që nga java e parë e këtij sezoni të Superiores. E cila tashmë ndahet mes Elbasanit dhe Egnatias, në kuotën e 25 pikëve. Ku tashmë janë kuqeblutë ata që ndjekin dyshen, në kuotën e 24 pikëve pas 13 raundeve. Dhe ecuria e 9 herë kampionëve të vendit nuk ka qenë aspak pozitive në 5 javët e fundit, ku skuadra ka grumbulluar vetëm 5 pikë. Me shkodranët që gjatë këtyre ndeshjeve kanë pësuar 5 gola dhe shënuar 4 të tillë. Ku në 5 ndeshjet e fundit në kampionat vetëm Tirana ka bërë më keq se kuqeblutë, me kryeqytetasit që kanë marrë vetëm 1 pikë nga 15 të mundshme.

Prandaj në kampin shkodran kërkojnë reagimin dhe kthimin tek fitorja që në ndeshjen e radhës në kampionat me Vorën. Ku pavarësisht vështirësisë që paraqet ndeshja e radhës, te kuqeblutë ka vetëm një objektiv dhe ai është marrja e 3 pikëve ndaj Vorës. Kjo për të larguar krizën që ka kapur skuadrën në këto momente e po ashtu për të tentuar kthimin në krye të Superiores.

Me Vllazninë që për vetë objektivat që ka, nuk i lejohen më hapa falsë, ku deri në fundin e vitit 2025 do ketë një grumbull ndeshjesh për kuqeblutë, të cilët do tentojnë marrjen e sa më shumë pikëve në kampionat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb