Në një rrëfim plot emocion e ndjeshmëri, blogerja e njohur Kristi Janku u shfaq si rrallë herë në studion e emisionit “Rudina” në Tv Klan. Ajo foli për vitin 2025 si një vit i mbushur me prova të forta, ku dhimbja e humbjes së babait i përmbysi jetën brenda vetëm dy javësh.
E përlotur Kristi tregoi se si kjo ngjarje e ka mësuar t’i dojë njerëzit më shumë, t’u japë hapësirë të shprehin ndjenjat sipas mënyrës së tyre dhe të çmojë çdo moment me ta. Edhe pse babai i mungon në ditët më të bukura të jetës, Kristi tha se e ndien pranë, si një bekim që e shoqëron nga lart, një ndjenjë që i ka ndryshuar perspektivën edhe në marrëdhënien me partnerin.
Rudina Magjistari: Kristi dua të ndalem edhe te një tjetër ngjarje e këtij viti. Dua të them që 2025, ka qenë një vit me ngjarje shumë të forta. Në fillim të vitit të është dashur që përballesh me një situatë shumë të vështirë të jetës tënde, me humbjen e babait.
Kristi Janku: Një nga ato momente që vërtet nuk ka shpjegim dhe ti arrin që të kuptosh vërtet që njerëzit duhet t’i duan, t’ua shprehim dashurinë dhe të qëndrojmë me ta për aq kohë sa jemi. Në 14 ditë mua mu përmbys jeta dhe mendoj se ky është një proces i vështirë që njeriu vazhdon dhe jeton. Përgjatë këtyre momenteve të lumtura, unë mendoj që ai më shikon dhe është gjatë gjithë kohës me mua në zemër. Por gjatë gjithë momenteve unë them ‘ahh sikur të ishte këtu me mua’.
Rudina Magjistari: Do doje shumë! Është shumë e natyrshme, që ai të ishte prezent në këto ngjarje të bukura të jetës tënde, por ai bekimin ta jep nga lart.
Kristi Janku: Humbja e babait më ka bërë në fakt që të vlerësoj mënyrën se si njerëzit duan. Mund të them që një nga gjërat që unë herë pas here ia vijë në dukje babit tim ishte që unë doja që ai të më donte në mënyrën time, të ma shprehte, të ma thoshte, ndërkohë që ai ka qenë gjithmonë personi që ma shprehte me vepra. Pas humbjes së tij kam kuptuar vërtet që ne duhet t’i lëmë njerëzit të lirë, të shprehin dashurinë e tyre ndaj nesh, në mënyrën që ata ditën. Kjo më ka dhënë një prizëm tjetër ndaj partnerit tim, sepse ata janë si dy pika uji në këtë drejtim.
