Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda opozitës, duke u ndalur te foltoret e organizuara nga Sali Berisha si edhe te takimet e ish-deputetit Ervin Salianji. Ai theksoi se takimet mes demokratëve janë të natyrshme dhe se debati i brendshëm është pjesë e domosdoshme e funksionimit të partisë.
Sipas Hoxhës, takimi i fundit që u komentua gjerësisht publikisht ishte “i ekzagjeruar”. “Demokratët takohen dhe mund të takohen, nuk është herezi. Ne pimë kafe me njëri-tjetrin çdo ditë, ndajmë shqetësime, pikëpamje politike, kjo është normale. Ky takim u bë një legjendë e tepruar,” u shpreh ai, duke shtuar se kritika brenda PD-së është e shëndetshme dhe e domosdoshme.
Hoxha i ndau demokratët në dy kategori: elektoratin, i cili sipas tij percepton atë që i ofron lidershipi, dhe strukturat e partisë, të cilat shpesh kanë qenë në mospërputhje me pritshmëritë e votuesve. Ai kujtoi se në vitin 2021 një pjesë e strukturave “hipokritisht përqafonin Bashën, sikur PD kishte fituar”, ndërkohë që elektorati tregoi qartë se çfarë kërkonte përmes lëvizjes së foltores. “Kjo lëvizje prodhoi një shpresë të madhe në Shqipëri, nëse nuk do ishte penguar, Rithemelimi sot do të ishte i plotë dhe Rama nuk do të ishte në qeveri,” tha ai.
Duke folur për situatën aktuale, Hoxha u shpreh se pakënaqësitë në parti lidhen me vendime që ai i cilësoi “të gabuara” në qasjen ndaj qeverisë. “Dikush që vodhi zgjedhjet nuk mund t’ia legjitimosh zgjedhjet duke shkuar në Parlament; duhet t’ia nxish derisa t’i përsërisë,” theksoi ai.
Ai ngriti shqetësimin se Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur prej muajsh, duke kujtuar se takimi i fundit ishte në mars. “Organet duhet të mblidhen. Diskutimi politik dhe qarkullimi i elitave janë të domosdoshme. Struktura mund të fitojë çdo betejë të brendshme, por nëse kjo bie ndesh me atë që kërkon elektorati, atëherë ka një problem serioz,” deklaroi Hoxha.
Duke iu referuar akuzave për korrupsion dhe skandalit me mesazhet e Belinda Ballukut, Hoxha theksoi se opozita duhet të reagojë më fuqishëm. “Janë vjedhur paratë e qytetarëve në mënyrë skandaloze. Opozita duhet të reagonte si në Bullgari. Mbështes çdo protestë, por protestat duhen bërë para Kryeministrisë. Me rënien e Ramës bien të gjithë të korruptuarit,” tha ai.
Në mbyllje, Hoxha paralajmëroi se pas publikimit të mesazheve të Ballukut, fakti që “nuk po ndodh asgjë” është sinjal alarmant për shoqërinë dhe demokracinë në vend. “Duhet ta orientojmë shoqërinë drejt një reagimi të fuqishëm,” përfundoi ai.
