Presidenti francez, Emmanuel Macron, nisi sot vizitën e tij të katërt zyrtare në Kinë, në një kohë tensionesh të shtuara me Pekinin, nga lufta në Ukrainë deri te pabarazitë e mëdha tregtare në favor të gjigantit aziatik.
Avioni i presidentit francez, i cili u ul pak pas orës 17:00 me kohën lokale të Pekinit, dhe nesër, do të takojw presidentin kinez Xi Jinping në Sallën e Madhe të Popullit.
Dy udhëheqësit do të takohen sërish të premten në Çengdu, në provincën Sichuan (jugperëndim), për një takim më joformal.
Macron, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Brigitte, u prit nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi.
“Ju faleminderit shumë për praninë tuaj sonte dhe për gjithë punën që do të bëjmë së bashku,” deklaroi ai gjatë pritjes.
Në kryeqytet e pret një program privat, përfshirë një vizitë në “kopshtin e perandorit Qianlong”, i restauruar së fundmi, në Qytetin e Ndaluar, e më pas një darkë zyrtare.
Presidenti francez shoqërohet nga gjashtë ministra (të Jashtëm, të Ekonomisë, të Bujqësisë, të Mjedisit, të Arsimit të Lartë dhe të Kulturës) si edhe nga 35 drejtues të korporatave të mëdha (Airbus, EDF, Danone…) apo kompanive familjare, që variojnë nga industria e luksit deri te produktet agro-ushqimore.
“Synimi ynë dhe ky do të jetë boshti i bisedimeve strategjike me presidentin Xi Jinping, është që Evropa të trajtohet me respekt si një partner i madh i Kinës,” theksoi Pallati Elyse para vizitës.
Macron do t’i kërkojë sërish Xi Jinping të ushtrojë ndikimin e tij mbi Rusinë, partnerin strategjik të Kinës, për ta bindur të pranojë një armëpushim. Edhe pse Pekini bën thirrje për negociata paqësore, ai nuk e ka dënuar asnjëherë Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe kundërshton sanksionet kundër saj.
Kina vijon të importojë hidrokarbure nga Rusia, ndërkohë që BE-ja ra dakord sot të ndalojë importet e gazit rus nga vjeshta e vitit 2027, me synimin për t’i hequr Moskës një burim të rëndësishëm financimi të luftës në Ukrainë.
