Një defekt shkaktoi shkëputjen nga rrjeti elektrik në perëndim të Kubës, përfshirë edhe kryeqytetin Havanë, duke lënë miliona banorë pa energji elektrike, njoftuan autoritetet të mërkurën në mëngjes, më 3 dhjetor.

“Një shkëputje nga sistemi kombëtar elektrik ndodhi sot në agim në pjesën perëndimore, duke prekur disa provinca nga Cienfuegos deri në Pinar del Río,” bëri të ditur kompania e energjisë së Havanës. Defekti në Havanë, ku jetojnë 1.7 milion banorë, është “i përgjithshëm”, thanë autoritetet.

Kuba prej dy vitesh përballet me ndërprerje të shpeshta dhe masive të energjisë elektrike. Ishulli me 9.7 milion banorë ka pësuar pesë ndërprerje totale të energjisë që nga fundi i vitit 2024, disa prej të cilave kanë zgjatur për orë të tëra. Banorët përballen me reduktime të gjata ditore të furnizimit, ndonjëherë deri në 20 orë rresht.

Të martën, në orët e pikut, 59% e popullsisë së Kubës ishte pa energji elektrike për shkak të reduktimeve të ngarkesës, sipas autoriteteve.

Infrastruktura e vjetëruar elektrike e vendit pëson shpesh defekte. Tetë termocentralet, shumica e të cilave u ndërtuan në vitet 1980–1990, dalin shpesh jashtë funksioni ose ndalen për javë të tëra për mirëmbajtje.

Mungesa e shpeshtë e karburantit kontribuon gjithashtu në këto ndërprerje. As instalimi i rreth tridhjetë parqeve fotovoltaike së fundmi, projekt i mbështetur nga Kina, nuk ka arritur ende të lehtësojë rrjetin dhe të ulë shkallën e ndërprerjeve.

Qeveria e Kubës fajëson embargon ekonomike dhe tregtare amerikane, e cila është në fuqi që nga viti 1962, për pengimin e riparimit të rrjetit elektrik. Megjithatë, ekonomistët theksojnë mungesën kronike të investimeve shtetërore në këtë sektor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb