Qeveria e Izraelit konfirmoi se sot janë zhvilluar bisedimet e para të drejtpërdrejta mes zyrtarëve politikë izraelitë dhe libanezë pas më shumë se 40 vjetësh.
“Takimi i sotëm në Liban është një përpjekje e parë për të hedhur themelet e një marrëdhënieje dhe bashkëpunimi ekonomik mes Izraelit dhe Libanit,” deklaroi zëdhënësja e qeverisë izraelite, Soss Bedrosian, duke folur për gazetarët.
Ambasada amerikane në Bejrut përshëndeti takimin, duke e cilësuar “një hap të rëndësishëm” në kuadër të mekanizmit të monitorimit të armëpushimit. Në një postim në X, ambasada u shpreh se të gjitha palët mirëpritën pjesëmarrjen e ish-ambasadorit libanez në SHBA, Simon Karam, dhe kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Uri Resnick, si pjesëmarrës politikë.
Një burim i tha Agjencisë France Presse se në takim merr pjesë edhe e dërguara amerikane për Lindjen e Mesme, Morgan Ortagus.
Takimi i sotëm mes zyrtarëve politikë të dy vendeve, të cilat nga pikëpamja teknike ndodhen ende në gjendje lufte, u zhvillua në një kohë kur Izraeli kërcënon me përshkallëzim të konfliktit në Liban, ku vazhdon të godasë objektiva të Hezbollahut pavarësisht armëpushimit. Ushtria izraelite ka shtuar goditjet në jug të Libanit gjatë javës së fundit, duke pretenduar se synon anëtarë dhe infrastrukturë të Hezbollahut, i cili sipas Izraelit po riar matos zonën në shkelje të armëpushimit që i dha fund luftës më 27 nëntor 2024. Prej javësh, mediat izraelite raportojnë për mundësinë e një fushate të re ushtarake kundër Hezbollahut në Liban.
Më herët gjatë ditës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi dërgimin e një përfaqësuesi për t’u takuar me zyrtarë politikë dhe ekonomikë të Libanit, një “përpjekje e parë për të krijuar bazën e një marrëdhënieje dhe bashkëpunimin ekonomik mes Izraelit dhe Libanit”.
Zyra e tij njoftoi se Netanyahu i ka kërkuar drejtorit të përkohshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të dërgojë një përfaqësues në këtë takim.
Ndërkohë, qeveria libaneze bëri të ditur se në krye të delegacionit të saj në mekanizmin e monitorimit të armëpushimit me Izraelin do të vendoset një civil, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat drejtojnë mekanizmin.
Deri tani, Libani përfaqësohej në këto takime nga ushtarakë që shmangnin çdo kontakt të drejtpërdrejtë me palën izraelite. “Presidenti Joseph Aoun ka vendosur t’i besojë ish-ambasadorit Simon Karam drejtimin e delegacionit libanez në takimet e mekanizmit,” njoftoi zëdhënësja e presidencës, Najat Sarafeddine, duke shtuar se vendimi u mor “pas kërkesës së SHBA-së dhe pasi u informua se Izraeli pranon të shtojë një civil në delegacionin e vet.”
Në nëntor, i dërguari amerikan Tom Barrack deklaroi se bisedimet e drejtpërdrejta mes Libanit dhe Izraelit mund të jenë çelësi për uljen e tensioneve. Presidenti libanez ishte shprehur i gatshëm të hynte në negociata me Izraelin, duke thyer një tabu historike mes dy vendeve që zyrtarisht mbeten në gjendje lufte.
Në vitin 1983, pas pushtimit izraelit të Libanit, dy vendet kishin zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta që çuan në firmosjen e një marrëveshjeje për vendosjen e marrëdhënieve mes tyre, por ajo nuk u ratifikua kurrë.
