Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi një raund të ri bisedimesh në SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, një ditë pasi takimi në Kremlin mes Vladimir Putinit dhe të dërguarve të Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përfundoi pa rezultat.

Pas kthimit të delegacionit amerikan nga Moska dhe konsultimeve të tyre në Uashington, Zelensky tha se Rustem Umerov, Andriy Hnativ dhe të gjithë personat e nevojshëm për negociatat do të vijojnë dialogun me përfaqësuesit e Trumpit.

Raundi i ri i kontakteve vjen pas takimit pesëorësh në Kremlin midis Putinit dhe të dërguarve amerikanë, i cili përfundoi pa një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Ditën e sotme, Kremlini deklaroi se Putin ka pranuar disa nga propozimet amerikane për zgjidhjen e konfliktit, ka hedhur poshtë disa të tjera, por se Rusia është e gatshme të takohet me negociatorët amerikanë “sa herë të jetë e nevojshme” për të arritur një marrëveshje.

Pyetja që shtrohet tani është se çfarë do të ndodhë më tej, pasi Putin duket se nuk është i gatshëm të bëjë asnjë lëshim territorial, çka është shqetësimi më i madh i Kievit, sidomos përballë frikës se Trump, i lodhur nga mungesa e progresit, mund të tërhiqet nga roli i ndërmjetësuesit.

Edhe pse Putin nuk ka arsye të tërhiqet dhe dëshiron që kundërshtarët e tij të besojnë se asgjë nuk mund ta detyrojë të ndryshojë kurs, kjo situatë mund të ndryshojë në të ardhmen, qoftë nga presioni i liderëve evropianë, qeverisë së Trumpit, apo vetë Zelenskyt. Kjo sidomos nëse rriten presionet ekonomike ndaj Rusisë, pasi të ardhurat nga nafta dhe gazi janë në rënie, ndërsa deficiti buxhetor po zgjerohet.

Edhe vetë Putini ka pranuar se ekzistojnë probleme, duke folur për “pabarazi” në ekonomi:
“Në disa sektorë, prodhimi jo vetëm që nuk është rritur këtë vit, por në fakt është ulur,” deklaroi ai këtë javë. “A jemi të kënaqur me këto prirje? Jo.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb