Avenir Peka, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe takimet që një grup eksponentësh demokratë po zhvillon me qytetarët dhe strukturat e PD-së. Në këto takime kanë marrë pjesë emra të dalë të votuar në primare dhe listat e hapura, si Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, e të tjerë.
Peka u shpreh se e sheh me “krenari” angazhimin e tij pranë Sali Berishës ndër vite, duke theksuar se fakti që sot flitet për PD-në tregon se partia “nuk është e mbaruar”.
“Një parti që ka humbur zgjedhjet për herë të katërt dhe mediat pranë qeverisë janë munduar ta trajtojnë si të mbaruar, por që vazhdon të prodhojë lajme dhe të tërheqë vëmendje, tregon se PD është gjallë. Çdo lëvizje brenda PD-së duhet parë në kontekst më të gjerë”, tha ai.
Peka kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të Partisë Socialiste, duke e krahasuar atë me “mënyrat e menaxhimit të grupeve kriminale”. Sipas tij, raporti i kryeministrit Edi Rama me strukturat e PS-së është i bazuar te përfitimet dhe presionet.
“Në PS, po dole kundër kryetarit, nuk dihet çfarë mund të ndodhë me ty, madje as fizikisht”, deklaroi Peka, duke shtuar se kontrolli në PS mban të heshtur çdo zë kritik.
Duke iu referuar përçarjes disa-vjeçare në PD, Peka tha se kjo periudhë, ndonëse e vështirë, ka treguar “mrekullinë e të bërit politikë në një parti”.
“PD tentuan ta shpërbëjnë, nga brenda dhe nga e majta globale. Por përpjekjet për ta shpëtuar kanë qenë kolosale”, theksoi ai.
Ai përmendi mitingun e dhjetorit 2021 si një moment kyç për rigjallërimin e lëvizjes. “Ishim vetëm ne dhe Zoti. Kundër kishim politikën, diplomacinë, qeverinë, mafian. Dhe ia dolëm të ringriheshim.”
Peka përdori konceptet “fraxhilitet – antifraxhilitet” për të përshkruar tranzicionin e PD-së. Peka shprehu bindjen se gjendja politike do ndryshojë ndjeshëm në pak muajt e ardhshëm:
“Nëse do vendosja një bast, pas 6 muajsh do shohim një PS që nuk ngrihet më. Ndërsa një PD që, nëse menaxhon mirë situatën, do bëhet gati për 20–30 vitet e ardhshme.”
Ai shtoi se ndryshe nga PS, që sipas tij ekziston vetëm sa kohë është Edi Rama në krye, PD ka potencial të qëndrojë “me apo pa Berishën”.
Në mbyllje, Peka deklaroi se PD po hyn në një fazë të re rigjenerimi: “Delikatesën dhe dobësitë e saj PD po i kthen në forcë. Po rikthehet drejt synimit për të qenë partia kryesore në Shqipëri në vitet që vijnë.”
