Gjykata Rajonale e Vupertalit ka konfirmuar dënimet ndaj dy të pandehurve të akuzuar për tentativë shantazhi ndaj familjes së Mikael Shumaker. Gjatë procesit të apelit nuk dolën në dritë prova apo dëshmi të reja.

Rojes së sigurisë, Yilmaz T., iu la masa e tre viteve burg për tentativë të rënduar shantazhi, ndërsa ish-punonjësi i sigurisë Markus F. u dënua me dy vite burg me kusht për bashkëpunim në krim. Të pandehurit kishin kundërshtuar vendimet e shkallës së parë, duke kërkuar uljen e dënimeve, ndërsa edhe prokuroria dhe pala civile kishin paraqitur apel.

Familja Shumaker shpresonte në një dënim më të rëndë për Markus F., të cilin e akuzonte se kishte vjedhur materialin sensitiv gjatë periudhës kur punonte në rezidencën e kampionit. Shantazhuesit kishin kërcënuar se do të publikonin në “Darknet” 1.500 skedarë, ku përfshiheshin foto, video dhe dokumente mjekësore të Shumakerit, i aksidentuar të rëndë teksa bënte ski në vitin 2013, duke kërkuar në këmbim 15 milionë euro. Në procesin e ri, Yilmaz T. vendosi të mos dëshmojë, gjë që kufizoi mundësinë e familjes Shumaker për të arritur një ashpërsim të dënimit ndaj Markus F.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb