Avenir Peka, i ftuar në studion e emisionit “Oponencë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, e cila është shpallur zyrtarisht e pandehur nga SPAK dhe po hetohet për procedurat e tunelit të Llogarasë, ndërsa GJKKO ka vendosur masën e pezullimit të funksioneve të saj si zv/kryeministre dhe ministre.

Peka deklaroi se, sipas tij, përgjegjësia për aferën nuk ndalet te Balluku, por lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama.

“Çështja Balluku është çështja Rama. Te Balluku është Edi Rama. Çdo aferë ka nga mbrapa dorën e Ramës, dhe këtë e tregojnë edhe komunikimet që janë bërë publike. Kot ia lënë 50 milionë euroshin Ballukut,” u shpreh Peka.

Ai nënvizoi se procesi i tenderimit për tunelin e Llogarasë ka pasur, sipas tij, parregullsi të dukshme.

“Ka patur oferta më të ulëta, por u zgjodh oferta 140 milionë euro. Ka qenë edhe ofertë 115 milionë euro me tre gryka tuneli dhe nuk e kanë pranuar. Te 140 milionëshi është pjesa e Ballukut; çdo gjë mbi atë shifër është e Edi Ramës,” tha ai.

Sipas Pekës, kryeministri ndodhet përballë një dileme të vështirë politike dhe juridike lidhur me qëndrimin ndaj Ballukut.

“Rama është mes dy alternativave: ta lëshojë Ballukun ose ta mbajë. Asnjë prej tyre nuk është alternativë e mirë për të. Është me shpatulla për muri,” theksoi ai.

Gjatë analizës, Peka komentoi edhe presionin që Balluku mund të ndjejë në procesin hetimor.

“Nuk mban një person në burg fajin e dikujt tjetër me vete,” tha ai, duke nënkuptuar se Balluku nuk do të pranojë të marrë mbi vete përgjegjësinë për vendime ku, sipas tij, ka pasur rol edhe kreu i qeverisë.

“Balluku është një femër që nuk mban dot burg. Ndryshe nga të tjerët, në psikologji thuhet që femrat nuk kanë faj edhe kur kanë faj. Nuk mban një femër në burg fajin e dikujt tjetër me vete”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb