Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në fjalën e tij nga Kuvendi ka folur në lidhje me rastin e Belinda Ballukut dhe faktin që qeveria ka çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra si zëvendës kryeministre dhe ministre e Energjetikës dhe Infrastrukturës.
Bardhi u shpreh se Vendimi i GJKKO nuk shkel Kushtetutën, kjo pasi në imunitetin e deputetit nuk përfshihet sipas tij masa e pezullimit nga detyra, por arrestimi dhe kontrolli në banesë.
Kreu i grupit të PD ka sjellë në vëmendje gjithashtu edhe praktikat e mëparshme të Komisionit të Venecias, duke marrë si shembull një rast kur komisioni ka folur mbi një rast në Kosovë, ku këshillohet Kuvendi që masa e pezullimit duhet të shtrihet edhe mbi të zgjedhurit, jo vetëm mbi ministrat.
“Komisioni i Venecias tha të kundërtën e asaj që pretendon me gënjeshtër Rama për të mashtruar qytetarët dhe manipuluar publikun, ndërsai bën presion GJK për një vendim kundër drejtësisë.
Komisioni ka thënë ekzaktësisht: masa e pezullimit për ushtrimin e një funksioni publik është legjitime për të mbrojtur hetimet. Këshillon që masa të shtrohet edhe tek të zgjedhurit veç ministrave, për rastin e Kosovës.
Asnjë vendim i GJKKO nuk i ka cënuar imunitetin sipas Kushtetutës”, tha ai.
