Nënkryetari i PD dhe njëherazi numri 2 i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj gjatë fjalës së tij në seancë tha se kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO, Belinda Balluku janë të pandehur për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe për shkrirjen e shtetit me partinë.

Gjekmarkaj tha se raporti i OSBE/ODIHR konfirmon përdorimin masiv të burimeve publike, presionin ndaj administratës dhe ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Ai tha se skandalet që përfshijnë ministrat e Qeverisë, me Ballukun në qendër, kanë deformuar rëndë procesin demokratik në vend dhe kanë varfëruar qytetarët përmes blerjes së votës dhe kapjes së institucioneve.

“Zgjedhjet u zhvilluan nën peshen e korrupsionit nën diktatin e krimit te organizuar e të pa organizuar, nën koracen e hekurt të frikes për ta lënë pushtetin të vetëdijshëm se çfarë keni bërë. Ju ecni mbi akull. Ne fytyra keni tmerr. Gjumi juaj është me gulçe, natën keni etje, fantazmat e grabitjeve publike ju trazojne me keq se njollat e gjakut Makbethin. E verteta e zgjedhjeve po del nga Tuneli i Llogarase dhe rri ketu kembekryq! Qeveria juaj ka rënë dhe rri si kadaver ne mes te mexhlisit nga habia dhe apatia sociale. Pafuqia juaj për të qenë të ndershem sot është kurthi më i madh i shpresave shqiptare!”, u shpreh Gjekmarkaj.

Fjala e plotë

Te nderuar deputet,
Zoti Kryetar,

Të nderuar qytetarë, zonja dhe zotërinj, miq të lirisë dhe të qendresës,

Sot jam para jush per ti dhënë zë guximit tuaj moral, qartësisë politike dhe pergjeqësisë ndaj së vërtetës, per te mbeshtetur revolten tuaj ndaj qeverise Rama – Balluku.

Sot e pandehur është e gjithë qeveria, e pandehur është e gjithë mazhoranca e cila nuk e gjen fuqinë morale per katarsis!

Sot ju e spostuat nga kalenadri raportimin e Komisionerit per zgjedhjet po jo Raportin Përfundimtar te OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit 2025 i cili ju rri mbi kokë si xhebraili!

Ai nuk është një dokument teknik, nuk është një justifikim opozitar – është akti zyrtar ndërkombëtar politik i cili konfirmoi se demokracisë shqiptare ju bë atentat!
Atentatoret janë këtu pas e para meje!

Zgjedhjet u zhvilluan nën peshen e korrupsionit nën diktatin e krimit te organizuar e të pa organizuar, nën koracen e hekurt të frikes për ta lënë pushtetin të vetëdijshëm se çfarë keni bërë. Ju ecni mbi akull. Ne fytyra keni tmerr. Gjumi juaj është me gulçe, natën keni etje, fantazmat e grabitjeve publike ju trazojne me keq se njollat e gjakut Makbethin.

E verteta e zgjedhjeve po del nga Tuneli i Llogarase dhe rri ketu kembekryq!

Qeveria juaj ka rënë dhe rri si kadaver ne mes te mexhlisit nga habia dhe apatia sociale.

Pafuqia juaj për të qenë të ndershem sot është kurthi më i madh i shpresave shqiptare!

Deshira juaj për të rëndur si të çmendur pas parasë duke zaptuar çdo korsi të jetes publike eshtë virusi me vdekjeprures per çdo vlere!

Paaftesia juaj morale për t’u përballur me krimin e ka kthyer Shqipërinë në një tokë të askujt, ku jeta e një pule vlen me shume se jeta e një shqiptari, i cili del ne mengjes per pune e kthehesh në darke në arkivol!

Nuk ka rendesi ne je gjykates i lartë, biznesmen, kalimtar me biçiklete, ish i denuar apo femije ne shkolle, të mberrin plumbi, te kap pistoleta, te perfshin autobuzi , te shpon thika, te buzeqesh vdekja dhe kthehesh në statistike mediatike.

Shteti i privatizuar shqiptar nuk qëndroi mbi palët, por u vesh me ngjyrat e partisë në pushtet.

Të gjithë mbathen atletet e Kryeministrit dhe renden per te rrembyer vota , duke vene taksen e xhizese mbi dinjitetin e individit.

Burimet publike, administrata, fondet, projektet dhe komunikimi institucional u përdorën si instrument elektoral nga partia e Kryeministrit Edi Rama.

Nuk e them unë – e thotë ODIHR. Nuk e thonë PD – e thotë standardi ndërkombëtar.

Mbi 4,500 aktivitete zyrtare u përdorën si fushatë e maskuar.

Në qarkun e Fierit, siç e dokumenton raporti, u pa shkrirja totale e shtetit me partinë.

Ky është modeli i një pushteti që nuk kërkon më legjitimitet, por, siç do ta përkufizonte Hannah Arendt, kërkon bindje përmes frikës, heshtje permes blerjes. Një model që vret besimin e instalon kontrollin.

Raporti flet qartë për blerje votash, për presion ndaj qytetarëve, për ndikim të grupeve kriminale në disa qarqe të vendit.

Të gjitha këto përbëjnë sulm frontal ndaj lirisë së votës.

Kur vota blihet, qytetari varfërohet.

Kur vota kërcënohet, liria vdes.

Na e la testament Vaclav Havel: “Atje ku e vërteta shitet, aty fillon totalitarizmi.” Prandaj, kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është një devijim i vogël – është deformim themelor i republikës, letargjia e saj.

Punonjësit e administratës u vunë nën presion: detyrim për të marrë pjesë në aktivitete partiake, frikësim për vendin e punës, përdorim i patronazhit si mekanizëm kontrolli !

Kjo është shkelje e rëndë e çdo norme demokratike. Një shtet që i përdor punonjësit si militantë, nuk është shtet i qytetarëve, por shtet i partisë.

Dita e votimit, sipas ODIHR-it, solli cënim të fshehtësisë së votës, prani të paautorizuar të aktivistëve të pushtetit, votim familjar dhe raste të blerjes së votës në vendngjarje.

John Stuart Mill e ka thene natyrisht jo per pasardhesit e Haxhi Qamilit e Haxhi Lleshit e Haxhi Kroit se : “Liria e votës është kufiri i fundit i njeriut të lirë.” Dhe kur ky kufi thyhet, zgjedhja nuk është më akt lirie, por thjesht ritual formal.

Të nderuar qytetarë, ne nuk jemi vetëm në këtë vlerësim.

SHBa po na vështron dhe po flet. Siç e tha këto ditë një kongresmen amerikan, pluralizmi në Shqipëri po shuhet.

Dhe kur shuhet pluralizmi, nuk shuhet vetëm opozita – shuhet liria, shuhet debati, shuhet shpresa. Pa te hyme ne ujdhesat e tiranise.

Ky paralajmërim është akt i rëndë politik ndaj qeverisë së Edi Ramës, sepse vjen nga tempulli i demokracise më të konsoliduara të botës.

Presidenti Tramp dhe Sekretari i shtetit Rubio në menyren me te pazakonte por edhe më të qartë ne telegramet e urimit per Festen Kombetare cituan luften ndaj karteleve të droges dhe bashkëpunetorve të tyre ! Kembanat po bien per Ju!

Qytetarë të nderuar, Republika nuk është thjesht një sistem administrativ apo një seri institucionesh; ajo është shtëpia e përbashkët e qytetarëve, ku ligjet nuk duhet të jenë instrument i pushtetit, por garanci e dinjitetit të secilit individ.

Siç theksojnë eterit e doktrinave politike , nga Montesquieu e deri te Tocqueville, fuqia politike që nuk kontrollohet rrezikon të kthehet në autokraci dhe shteti të shndërrohet në pronë private, shoqeria ne kope, ku bari ther e pret, shet e blen sipas qejfit.

Sot, kjo është realiteti ynë: Republika po përvetësohet nga partia në pushtet. Institucionet, zgjedhjet dhe mekanizmat e kontrollit publik po rrëmbehen në funksion të një partie të vetme.

Qëllimi është i qartë dhe i dokumentuar: shuarja e opozitarizmit, monopolizimi i pushtetit dhe kthimi i pluralizmit në një fasadë formale, një iluzion për të mbuluar një sistem gjithnjë e më autokratik.

Kur Republika nuk i shërben më qytetarit si sovran, por pushtetit si instrument, ajo nuk është më shtëpia e të gjithëve, por arena e një pushteti që e realizon kontrollin mbi çdo qelizë të shoqërisë per te konsoliduar fronin e pushtetit.

Institucionet publike janë kapur nga një parti e vetme: Presidenca e Republikes, çdo kinse institucion i pavarur apo Agjensi, KQZ nën presion politik, AMA dhe RTSH e të tjera e të tjera që nuk i shërbejnë publikut, por Qeverisë.

Në media, mbi 90% e hapësirës është nën kontroll të indirekt të qeverisë. Kjo nuk është demokraci funksionale; është një autokraci , një kontroll i heshtur, i maskuar, real gjithnje e me i paturpshem.

Do jua kujtoj gjithmone se viti elektoral u karakterizua nga klimë përndjekjeje politike: ndjekje penale të liderve të opozitës, tension i qëllimshëm, presion ndaj kundërshtarëve.

Një shoqëri që trembet nga drejtësia, nuk ka drejtësi. Dhe kur një opozitë përndiqet politikisht, kjo shoqëri perseri rrezikon të humbasë Republiken .

Demokracia shqiptare mund ta ushqeheniluzion e vet vetem nese qytetarët nuk dorëzohen.

Fryma e lirisë jeton tek çdo shqiptar që nuk e shet votën, tek çdo i ri që kërkon të ardhme, tek çdo punonjës që refuzon të përkulet, tek çdo njeri që thotë: “Unë dua Shqipëri të drejtë”.

Ne kërkojmë vetëm atë që Shqipëria ka firmosur prej dekadash: respektimin e Dokumentit të Kopenhagës, të ICCPR-së, të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Ne kërkojmë zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, shtet neutral, institucione të pavarura dhe një Republikë që nuk i takon partisë, por popullit.

Kjo është beteja jonë. Jo për karrige. Jo për poste. Jo për privilegje. Por për dinjitetin e popullit shqiptar. Për Republikën e Shqipërisë. Për të drejtën e njeriut për të votuar i lirë e pa frikë. Për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Dikush më shkruante para pak në dialekt mirditor; “o burra kapni hunjt se na vunë horrat përfujt”’ – por unë jam i fjalës e jo i hurit ndaj do ta mbyll me ato që Charles de Gaulle u tha francezëve të tij se: “Demokracia është e fortë vetëm kur qytetarët nuk kanë frikë”.

Ju do t’ju çojë në marrëzi frika juaj, qytetarët do të rigjejnë vetëdijen për t’u çliruar prej jush!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb