Gjatë seancës gjyqësore paraprake në Gjykatën e Posaçme, ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi kërkoi gjykim të shkurtuar, ndërsa pretendoi pavlefshmëri të akteve, fshirje të korrespodencës dhe papërdorshmërinë e të dhënave të marrë nga celularët e tij, të sekuestruar gjatë hetimit.

Përmes avokatëve, ish-zyrtari i lartë Berberi, ndaj të cilit rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, pretendoi se celularët e tij janë sekuestruar vetëm mbi bazën e urdhrit të prokurorit dhe jo me vendim të gjykatës, çka sipas tij përbën shkak për pavlefshmëri të akteve dhe të të dhënave, referuar vendimeve të gjykatës Kushtetuese. Valter Begaj ish-ortak i Berbetit dhe kompanitë DAAM shpk dhe Net Grup kërkuan kthim të çështjes për hetime të mëtejshme. Begaj dha shpjegime të detajuara para Gjykatës së Posaçme lidhur me pronësinë e kompanisë DAAM të cilën sipas SPAK e kontrollonte në mënyrë të tërthortë Evis Berberi dhe kompania fitonte tendera nga institucionet që ai drejtonte.

Vendimi lidhur për dërgimin ose jo të çështjes Berberi për gjykim do të shpallet me datë 9 dhjetor, seancë gjatë së cilës gjykata do të vendosë dhe për kërkesat e tij për pavlefshmërinë e të dhënave të marra nga celularët. Bazuar në të dhënat e zbuluara në celularët e sekuestruar në shtëpinë e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar SPAK ka çelur disa dosja të tjera penale dhe ka ngritur akuzë për shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim edhe për zv.kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku lidhur me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë e po ashtu për tenderin loti 4 unaza e madhe.

Belinda Balluku është e pezulluar nga ushtrimi i funksioneve me vendim të gjykatës së Posaçme dhe I është ndaluar e drejta për të dalë jashtë vendit. Lidhur me çështjen e saj pritet të vendosë gjykata Kushtetuese e vënë në lëvizje nga kryeministri Edi Rama që kundërshton pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë. Ndërsa Apeli i Posaçëm pritet të shpallë datën për shqyrtimin e ankimimit të Ballukut dhe dy vartësve të saj Gentian Gjyli dhe Erald Elezi të cilët ndodhen nën masën e arrestit në shtëpi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: