Pas publikimit të rastit në News24, se bregdeti i Adriatikut në Fier ishte tejmbushur me mbetje urbane dhe industriale nga prurjet e lumenjve Vjosë e Seman, bashkia ka nisur aksionin për pastrimin e brezit ranor. Prurjet e shtuara të lumenjve sollën tonelata me mbetje plastike, inerte dhe lëndë drusore, të cilat përfunduan në
bregdetin e Darëzezës dhe grykëderdhjen e Semanit, duke shkaktuar ndotje në nivele alarmante.
Aksioni nisi të enjten dhe do të vazhdojë deri në heqjen e te gjitha mbetjeve të akumuluara, të cilat gjenden në një sipërfaqe të madhe.
Prurjet e lumenjve u shtuan nga reshjet intensive të shiut, ku veç dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, qytetarët u përballën me ndotje të mjedisit. Kjo problematikë përsëritet sa herë ka rrebeshe shiu, duke shkaktuar dëme në biodiversitetin e lumit e detit.
