Në seancën e sotme plenare, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka mbajtur një fjalë të ashpër ndaj qeverisë, duke akuzuar mazhorancën për lidhje me krimin e organizuar dhe për degradimin e institucioneve të sigurisë.

Balliu ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin e qeverisë ndaj drejtorit të policisë, Ilir Proda, duke deklaruar se “në dy javë i kanë ndodhur tre atentate, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë”.

“Pse nuk e largoni këtë Ilir Prodën? Sepse ai përfaqëson shefat tuaj të vërtetë, që janë krimi i organizuar. Jeni e vetmja qeveri që ka koordinator për krimin e organizuar, e thotë vetë ministri juaj,” u shpreh Balliu.

Deputeti demokrat deklaroi se në shumicën e atentateve të ndodhura në vend, “dalin të përfshirë efektivë të niveleve të larta të policisë”, duke pyetur qeverinë nëse janë marrë masa dhe nëse po hetohen mungesat e të dhënave nga shërbimet inteligjente, sidomos në lidhje me ngjarjen në aeroport.

Sipas tij, kjo situatë “fakton dramën se vendi është kthyer në narkoshtet”.

Balliu u ndal edhe te sektori i ndërtimit, duke cituar raporte ndërkombëtare dhe përgjime të grupeve kriminale.

“DASH deklaron se paratë pastrohen në Shqipëri përmes ndërtimit. Ka përgjime të Ndranghetas që kërkon të investojë 100 milionë euro. Edhe prokuroria belge në çështjen ‘Toyota Yaris’ flet për shuma marramendëse parash që pastrohen në Shqipëri.”

Ai akuzoi qeverinë se ka krijuar një sistem ku lejet e ndërtimit për kullat varen vetëm nga kryeministri.

“Si ngrihen kulla me kompani që deklarojnë vetëm 50 mijë euro buxhet? Ju keni votuar ligjin që ia jep vetëm Edi Ramës të drejtën për kullat.”

Në fund, Balliu kritikoi institucionet për prioritetet që, sipas tij, janë të gabuara.

“Çfarë masash po merrni ju? Masa për monopatinat. Shoqëroni 19-vjeçarët që lëvizin me monopatina, ndërsa krimi i organizuar lulëzon.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb