Në seancën e sotme plenare, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mbajti një fajlim të ashpër drejtuar deputetëve të rinj të Partisë Socialiste, duke i akuzuar ata për justifikim të akteve të korrupsionit brenda qeverisë.
Shehaj u ndal veçanërisht te çështja e ministrave nën hetim, duke deklaruar se deputetët socialistë po mbrojnë veprime që dëmtojnë qytetarët dhe sistemin publik të shëndetësisë.
“Akoma nuk e keni bërë karrierën në PS, jeni thjesht deputetë. Nesër ndoshta bëheni ministra, por nëse sot justifikoni vjedhjen e ministres, çfarë do bëni nesër?” u shpreh ai nga foltorja.
Shehaj denoncoi humbjen e miliona eurove që, sipas tij, duhet të përfundonin në spitalin onkologjik, por janë devijuar drejt “xhepave të Ballukut”. Ai i bëri thirrje deputetëve të rinj të reflektimit:
“Jeni të rinj, thirrini mendjes. Edhe këta që sot rrezikojnë burgun, dikur ishin në vendin tuaj. Nuk e imagjinonin se një ditë do të merreshin zvarrë drejt qelisë.”
Kreu i Partisë Mundësia theksoi se përgjegjësia kryesore për situatën bie mbi kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar atë për pasurim të paligjshëm.
“Nuk ua ka fajin SPAK-u, ua ka fajin Rama, sepse u pasurua më shumë se të gjithë ju bashkë,” përfundoi Shehaj.
