Komisioni Evropian propozoi sot përditësimin e legjislacionit ekzistues për të monitoruar më mirë rrugët e kontrabandës dhe për të parandaluar krimet e lidhura me keqpërdorimin e substancave mjekësore dhe atyre të reja për prodhimin e drogave.

“Trafikimi i drogave përbën një biznes kriminal global dhe një kërcënim të madh për mirëqenien e evropianëve, si dhe për sigurinë e Evropës në tërësi”, tha komisioni në një deklaratë.

Komisioni prezantoi një dokument strategjik dhe një plan veprimi me 19 pika, i cili parashikon një rol më të madh për agjencinë kufitare të BE-së, “Frontex”, në zbulimin e kontrabandës së drogave.

“Frontex” do të përdorë dronë për të identifikuar rrugë të mundshme kontrabande përmes fotografive ajrore.

Agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së, Europol, do të forcojë fokusin mbi trafikun e drogave në internet dhe do të mbështesë vendet anëtare në hetimet e tyre.

EUDA do të krijojë një bazë të dhënash për të identifikuar më herët prirjet në tregun e drogave.

Agjencia do të mbështesë gjithashtu masat parandaluese në vendet e BE-së, duke përfshirë trajtimin dhe riintegrimin e të varurve.

Fëmijët dhe të rinjtë do të mbrohen më mirë nga rekrutimi nga bandat kriminale, përfshirë identifikimin e ekspertëve evropianë dhe përfshirjen e gjetjeve të tyre në punën parandaluese.

Substancat e përdorura në mjekësi shpesh keqpërdoren për prodhimin e drogave sintetike, ndaj tregtia e tyre do të kufizohet.

Sipas planit, disa substanca që nuk kanë asnjë përdorim tjetër përveç prodhimit të drogave do të ndalohen, me përjashtime vetëm për kërkime shkencore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb