Transferta e pakushtëzuar që qeveria akordon çdo vit për bashkitë shënon rritje me 9% në vitin 2026, duke arritur nivelin e 46 miliardë lekëve nga 42 miliardë këtë vit, por shpërndarja e fondeve shtesë nuk është uniforme.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në krye të listës qëndron Fieri, i cili rezulton bashkia me rritjen më të lartë të fondeve, me 15% më shumë se një vit më parë. Kjo bashki financohet me rreth 1.8 miliardë lekë vitin që vjen nga rreth 1.6 miliardë lekë këtë vit.
Pas Fierit renditet Këlcyra me rritje 14.2%, ndërsa Roskoveci, Mallakastra dhe Dropulli vijojnë me ritme nga 12% deri në 13.6%. Rritje të larta kanë regjistruar edhe bashkitë Kamëz, Berat, Finiq, Lushnjë, Kukës dhe Mat, të gjitha me rritje rreth 11–12%, çka reflekton rritjen e nevojave financiare dhe të funksioneve që mbulojnë këto bashki.
Në mesin e renditjes gjenden bashkitë e mëdha si Elbasani dhe Korça, me rritje 10.4%, ndërsa Vlora rezulton me 11%. Bashkitë bregdetare si Saranda dhe Himara kanë rritje më të moderuara, nga 6.9% në 9.9%.
Tirana, bashkia më e madhe në vend, ka një rritje prej 9%, më e ulët se shumë bashki të tjera, por volumet absolute të fondeve që ajo përfiton mbeten më të lartat në shkallë kombëtare. Transferta e pakushtëzuar për buxhetin e bashkisë
Tiranë vitin që vjen është 6.5 miliardë lekë nga 6 miliardë që ishte këtë vit.
Bashki të tjera të mesme dhe të vogla si Shkodra, Gjirokastra, Dibra, Kurbin, Cërriku dhe Kruja luhaten në intervalin 8–9%. Në fund të listës ndodhen bashkitë me rritjen më të ulët të transfertës, si Pusteci me 6.8%, Himara me 6.9%, ndërsa Përmeti ka rritjen më minimale, vetëm 4.7%.
Të dhënat tregojnë se rritja e transfertës së pakushtëzuar është e përgjithshme, por shpërndarja e saj varion ndjeshëm nga një bashki në tjetrën, në varësi të formulës së financimit, numrit të banorëve, sipërfaqes dhe nevojave.
Bashkitë më të vogla urbane dhe rurale shfaqin shpesh ritme më të larta rritjeje, ndërsa bashkitë e mëdha marrin rritje më të moderuar, por mbeten përfituese të pjesës më të madhe të fondeve në vlerë absolute.
Shpërndarja e fondeve për bashkitë, ashtu siç rezulton nga të dhënat zyrtare të buxhetit, nuk është plotësisht proporcionale dhe nuk ndjek një standard të unifikuar që të reflektojë qartë nevojat reale të territorit.
Në shumë raste, bashkitë me popullsi më të madhe nuk marrin domosdoshmërisht më shumë financime, ndërsa bashki me më pak banorë përfitojnë fonde më të larta për frymë, pasi shpesh financimet vijojnë në bazë të projekteve të nisura.
Gjithashtu, bashkitë që kanë kaluar më parë procese miratimi dhe planifikimi të projekteve vijojnë të marrin fonde të tjera për t’i përfunduar, pavarësisht nëse nevojat aktuale të tyre janë më të ulëta se në bashki të tjera.
Grantet e pakushtëzuara zakonisht mbështesin shërbimet bazë, janë më të ulëta se sa nevojat reale të bashkive. Ndërkohë, edhe grantet konkurruese, si ato të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, shpesh përqendrohen në një grup të kufizuar bashkish që kanë kapacitete më të forta teknike për të hartuar projekte fituese./ Monitor
