Armand Kullau – Vetting

Një nga projektet më famëkeqe të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Ministrisë së Infrastrukturës është ai për ndërtimin e linjës së transmetimit Tiranë-Rrashbull (Unaza energjitike) i financuar nga një hua prej 45 milionë euro dhe i ndarë në dy komponentë (lote) linjën Tiranë-Rrashbull dhe Unazën 110 kV të Tiranës. Ky projekt nën drejtimin e administratorit Skerdi Drenova dhe ministres Belinda Balluku është amenduar disa herë, kostot janë rritur rreth 25% më shumë se vlera totale fillestare dhe ka akoma elementë të marrëveshjes që ngrenë pikëpyetje për kamatëvonesat. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky paraqitet si një prej projekteve më problematike të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Kontrata për këtë projekt është firmosur me kompaninë portugezese “EFACEC Engenharia e Sistemas, S.A” në 14 nëntor 2018, pra rreth 7 vite më parë dhe kompania do të rezultonte me problemet me aksionerët. Megjithatë, përmes amendamenteve të njëpasnjëshme, sidomos me amendamentin nr. 3, afatet u shtynë deri në mars 2024 për seksionin 1 dhe gusht 2025 për seksionin 2 ndërsa vlera totale e kontratës u rrit në 23,9 milionë euro.

Kjo rritje prej mbi 4.7 milionë euro është justifikuar nga kontraktori me kërkesat e tij për kompensime shtesë, të paraqitura periodikisht që prej vitit 2020, duke përfshirë pretendime për vonesa nga pandemia, rritje çmimesh ndërkombëtare dhe kërkesa të drejtpërdrejta për përshkallëzim të kostos së kontratës. Këto pretendime u shtuan në takimet e vitit 2022, ku kontraktori kërkoi rishikim të çmimit dhe afatit ndërsa OST-ja nuk kishte marrë ende vendim përfundimtar, duke e lënë kontratën të hapur ndaj rritjeve të mëtejshme të kostos.

Pavarësisht detyrimeve të kontraktorit, situata në terren për nënstacionin Rrashbull mbetet një prej dështimeve më të dukshme. Për më tepër, kolaudimet e punimeve janë kryer nga grupe të ngritura me urdhra të brendshëm të OST-së, por një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve nuk posedonin licencat e detyrueshme, duke shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë ligjin nr. 8402 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.

Nga ana tjetër, projekti ka vuajtur edhe nga kaosi teknik dhe institucional i krijuar nga ndryshimet e pandërprera të konfigurimit të linjës. Sipas marrëveshjes së huas, linja duhej të ndërtohej për 220 kV. Në mbledhjen e Këshillit Teknik më 14 nëntor 2016, Këshilli vendosi që linja të ndërtohej me shtylla për 400 kV, por me përcjellës vetëm për 220 kV, duke krijuar një projekt hibrid jashtë parashikimeve të huas dhe studimit fillestar.

Pra, pavarësisht rritjes së vlerës së kontratës, zbatimi praktik ka mbetur pas, duke krijuar një tjetër mospërputhje të thellë midis fondeve të shpenzuara dhe volumit real të punimeve.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kontratën e Lotit 2, e cila është nënshkruar në nëntor 2018 me kompaninë e huaj “Energoinvest Sarajevo, Bosnjë & Hercegovina” dhe ka hyrë në fuqi në maj 2019 si projekt me me “çelësa në dorë”, në objektin e së cilës përfshihen furnizimi i mallrave dhe pajisjeve, instalimi i tyre dhe punimet e ndërtimit me vlerë 18,4 milionë euro. Kjo kontratë është amenduar duke i shkuar kostot në 19,9 milionë euro. Por edhe vlera e kontratës së konsulentit “Fichtner Bauconsulting GmbH” është rritur me 75%, duke sjellë rritje të kostos në vlerën 1,8 milionë euro, i cili është njëkohësisht edhe mbikqyrësi i projektit.

EFACEC, në pronësi të një njeriu të sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se rreth 70% të aksioneve të kompanisë “Efacec Engenharia e Sistemas, S.A” kanë qenë deri në vitin 2020 në pronësi të Isabel Dos Santos, që deri para disa viteve sipas revistës “Forbes” konsiderohej si gruaja më e pasur në Afrikë, tashmë e zbritur nga froni.
Ajo është e bija e ish presidentit të Angolës, të ndjerit José Eduardo dos Santos, që ka qeverisur Angolan për gati 3 dekada. Në fakt, në janar 2020 do të publikohej skandali “Luanda Leaks”, një investigim nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë (ICIJ) dhe 36 media partnere, ku evidentohen afera të Isabel Dos Santos, që dyshohet se duke patur ndikimin nga pushteti i babait e bënë dos Santos gruan më të pasur të Afrikës dhe e lanë Angolën, të pasur me naftë dhe diamantë, ndër vendet më të varfra në botë.

Por si e mori nën kontroll Dos Santos kompaninë portugeze?
Në qershor 2015, Isabel dos Santos bëhet aksionerja kryesore e kompanisë portugeze Efacec Poëer Solutions, duke blerë aksionet nga grupet José de Mello dhe Têxtil Manuel Gonçalves për rreth 200 milionë euro. Blerja u realizua përmes kompanisë offshore Winterfell Industries (e themeluar nga ajo), në partneritet me shoqërinë shtetërore angolase “ENDE”, e cila bleu 40% të aksioneve të Winterfell. Sipas të dhënave zyrtare nga regjistri portugez, dos Santos zotëronte 71.73% të EFACEC përmes kompanisë Winterfell 2. Ajo u tërhoq nga aksionet e kompanisë EFACEC në janar 2020, menjëherë pas përfshirjes së saj si e dyshuar në hetimet angoleze, ku EFACEC drejtohej nga Mário Leite da Silva, bashkëpunëtor i ngushtë i Isabel dos Santos, i cili dha dorëheqje sapo nisën akuzat ndaj saj.

Pas shpërthimit të skandalit “Luanda Leaks” në janar 2020, Isabel dos Santos do të shiste pjesën e saj në EFACEC. Madje në Portugali u ndërmorën veprime ligjore pasi prokuroria portugeze urdhëroi ngrirjen e llogarive të saj bankare në fillim të 2020 si pjesë e bashkëpunimit me drejtësinë. Autoritetet portugeze nisën hetime të veçanta për blerjen e aksioneve të EFACEC nga dos Santos , për të shqyrtuar burimin e fondeve.

Më 2 korrik 2020 qeveria portugeze miratoi me dekret shtetëzimin e 71% të aksioneve të EFACEC që zotëroheshin nga dos Santos, duke filluar procesin e menjëhershëm të riprivatizimit. Në total u ngrinë asete të Dos Santos në Angolë dhe Portugali me vlerë mbi 1.5 miliardë dollarësh. Së fundmi, në vitet e fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë vendosur sanksione personale ndaj Isabel dos Santos dhe familjes së saj për korrupsion, duke e ndaluar atë të hyjë në territorin e tyre dhe duke ngrirë pasuri shtesë.

Por “Vetting” ka zbuluar një tjetër problem me projektin e EFACEC në Shqipëri, pasi rezulton se kompania nuk ka patur asnjë punëtor gjatë realizimit të kontratës për periudhën 2019-2021, në vitin 2022 ka patur vetëm një të punësuar dhe në vitin 2023 ka shtuar 3 punëtorë. Ngelet mister se si e ka realizuar projektin dhe pse ish-drejtuesi Skerdi Drenova e ka zgjatur kontratën kur kompania nuk ka patur punonjës.

Por nëse kompania mund të justifikohej se ka marrë nënkontraktorë, si i ka marrë dhjetra miliona euro pagesa nga Operatori i Sistemit të Transmetimit nga dega në Shqipëri që është themeluar në tetor 2018?

Po të analizojmë bilancet financiare, EFACEC nuk ka punëtorë, ndërkohë që xhiroja vjetore maksimale përllogaritet viti 2022 me rreth 60 mijë euro. Ndërkohë që nga viti 2019 e deri në fund të vitit 2023, duke përjashtuar 2022 kemi xhiro vjetore të ardhurash të papërfillshme duke e krahasuar me tenderin që ka marrë nga OST-ja. Me pikëpyetje është edhe pronësia e degës në Shqipëri, pasi nuk rezulton që të ketë asnjë aksioner që të ketë shumicën e aksioneve, sic pretendohet që i ka shteti portugez.

Nga verifikimet tona në terren, ky projekt akoma nuk ka përfunduar dhe janë shkelur përsëri afatet pasi duhet të kishtë përfunduar në korrik 2025.

Në rastin e EFACEC ngrihet një pyetje shumë e rëndësishme:

Si e ka realizuar kompania projektin me nënkontraktor, kur ky i fundit nuk mund të bëjë më shumë se 50% të punimeve sipas ligjit të Prokurimit Publik? Për periudhën 2019-2021 ngelet mister sepse vetë kompania nuk ka punëtor, por edhe nënkontraktori nuk mund të realizojë më shumë se 50% të punimeve.

Vetting u përpoq të kontaktonte kompaninë portugeze, si edhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për të marrë informacione për vonesën e punimeve, pagesat, nënkontraktorin, nëse kompania portugeze ishte e lidhur realisht me degën në Shqipëri, por deri në publikimin e këtij artikulli asnjëra nga palët e kontaktuara nuk është prononcuar për redaksinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: