Skandali i basteve në Turqi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, pasi hetimet zgjerohen dhe dalin në dritë detaje të reja që përfshijnë mijëra futbollistë, disa gjyqtarë dhe drejtues klubesh. Autoritetet kanë pezulluar një numër sportistësh dhe zyrtarësh, ndërsa faza e dytë e hetimit po intensifikohet.

Zyra e Prokurorit të Stambollit njoftoi se është kryer një sërë arrestimesh të lidhura me çështjen, mes të cilëve edhe dy futbollistë profesionistë. Bëhet fjalë për Metehan Baltaçin e Galatasaray-t, i akuzuar për vendosje bastesh në një ndeshje ku ka marrë vetë pjesë, dhe Mert Hakan Yandaşin e Fenerbahçes, i cili dyshohet se ka vendosur baste përmes një pale të tretë. Në total, hetimet kanë zbuluar se 27 futbollistë kanë vendosur bast në ndeshjet e skuadrave të tyre, fakt që ka çuar në ngritjen e procedurave ligjore kundër 46 të dyshuarve, bazuar në raportet e MASAK, të dhënat e faqeve të ligjshme të basteve dhe vendimet disiplinore të Komitetit të Futbollit Profesional të datës 13 nëntor 2025.

Hetimi përfshin gjithashtu akuza për manipulim ndeshjesh ndaj disa figurave të rëndësishme të futbollit turk. Midis tyre janë pronari i Ankarasporit, Ahmet Oktan, presidenti i klubit, Emin Katipoğlu, presidenti i Belediyesporit, Şahin Kaya dhe dy trajnerë, të cilët dyshohen për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e ndeshjes Ankaraspor–Belediyespor të zhvilluar më 28 prill 2024. Autoritetet kanë zbuluar edhe një marrëveshje të mundshme ndikimi në ndeshjen Ümraniyespor–Giresunspor të 24 dhjetorit 2023.

Mëngjesin e sotëm, në orën 07:15, policia turke ndërmori një operacion të gjerë në Stamboll dhe në 16 provinca të tjera, duke arrestuar 35 të dyshuar në kuadër të shkeljeve të Ligjit nr. 6222 për Parandalimin e Dhunës dhe Çrregullimit në Sport. Pesë persona të tjerë ndodhen jashtë Turqisë dhe janë shpallur në kërkim, ndërsa përpjekjet për arrestimin e tyre vazhdojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: