Të mohuar, të arratisur, të internuar, të dënuar apo të ekzekutuar në diktaturë, poetët e shkrimtarët shqiptarë që na mësuan të ëndërrojmë e të shpresojmë u bënë pjesë e Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë.
Vargjet e ditarët e tyre, sollën në vëmendje, kumte lirie nga kohët e ndalimit të madh, ku fjala cilësohej armë e dënohej deri më vdekje. Si kremtim i ëndrrave të tyre, si homazh i dritës na lanë pas dhe testamenteve të tyre shpirtërore.
Pjesë nga Martin Camaj, Musine Kokalari, Kasem Trebeshina, Frederik Rreshpja e Vilson Blloshmi, u interpretuan në vilën e ish diktatorit në bllok si kremtim i lirisë për të cilën ata patën shkruar nga përtej mureve a kufijve.
Me tinguj të muzikës së Mardit Lleshit dhe interpretim të aktores Loredana Gjeçi, homazhi për ta është homazh edhe për jetët e pajetuara e veprat që nuk shkuan kurrë te lexuesi.
Festivali i Letërsisë Evropiane bashkon për të dytin vit, autorë evropianë me publikun shqiptar, në takime e biseda që synojnë të krijojnë ura mes kulturash e gjuhësh.
