Një moment tronditës, por edhe i pazakontë, u kap nga kamerat në Auckland të Zelandës së Re, kur një zog iu përplas papritur në fytyrë një gazetares gjatë një raportimi live. Ngjarja ndodhi teksa Jessica Tyson po xhironte një kronikë në qendër të qytetit, në mes të erërave të forta.
Në videon e publikuar nga vetë gazetarja, 32-vjeçarja shfaqet me një bluzë rozë dhe fund të zi, ndërsa era i tundte flokët. Brenda pak sekondash, një pulëbardhë fluturon me shpejtësi dhe e godet drejtpërdrejt në fytyrë, duke e lënë të shtangur nga goditja.
Tyson më vonë publikoi një foto në rrjetet sociale, ku shfaqej me një prerje të dukshme sipër vetullës. Videoja e saj u bë virale, duke kapur mbi 105,000 shikime dhe 4,000 pëlqime, ndërsa shumë ndjekës komentuan të habitur dhe të shqetësuar për gjendjen e saj.
“Gjithçka është në rregull, kam vetëm një shenjë të vogël sipër syrit!” shkroi gazetarja, duke qetësuar ndjekësit. Ngjarja, ndonëse pa pasoja serioze, ka tërhequr vëmendjen online për natyrën e saj të rrallë dhe të papritur.
