Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një reagim në Facebook ku thekson se prioriteti i padiskutueshëm i opozitës duhet të jetë një qëndrim i përbashkët për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, vetëm një reformë që e lidh drejtpërdrejt qytetarin me deputetin mund të rikthejë parlamentarizmin real dhe llogaridhënien në vend.

“Partia e Lirisë beson se çështja vendimtare që duhet të bashkojë çdo faktor opozitar sot është qëndrimi i përbashkët për Reformën Zgjedhore. Objektivi madhor i gjithë opozitës është një Reformë që e lidh drejtpërdrejt qytetarin me deputetin. Kjo është e vetmja rrugë për rikthimin e parlamentarizmit dhe llogaridhënies,” shkruan Meta.

Në reagimin e tij, Meta nënvizon se opozita duhet të paraqesë gjithashtu një projekt të qartë për Reformën Administrative–Territoriale, duke u mbështetur tek kritere objektive që sigurojnë shërbime më pranë qytetarit dhe që ndihmojnë në frenimin e shpopullimit.

Sipas tij, mazhoranca socialiste nuk ka vullnet për një reformë që synon rigjallërimin e zonave të braktisura. “Përfaqësuesit e PS e bënë të qartë se nuk mund të bëjnë një reformë që synon popullimin e zonave të braktisura, sepse shpopullimi ka qenë dhe mbetet një nga objektivat e tyre kryesorë,” shkruan Meta.

Ai shton se opozita ka modele të suksesshme europiane për t’u marrë shembull, duke përmendur rastin e Hungarisë në mbështetjen e popullsisë dhe familjeve të reja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb