Në Miami të Floridës pritet të zhvillohet një takim i ri mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë, në kuadër të diskutimeve për planin e paqes së propozuar nga Donald Trump për Ukrainën.

Takimi, i konfirmuar për Agjencinë Franceze të Lajmeve nga një përfaqësues në Kiev, vjen menjëherë pas kontakteve që zyrtarë amerikanë kanë pasur me Vladimir Putinin në Moskë.

“Po, pritet një takim i ri sot”, deklaroi Oleksandr Bevz, këshilltar i shefit të zyrës së presidencës ukrainase, duke shtuar se kryenegociatori i Kievit, Rustem Umerov, ndodhet tashmë në Miami.

Sipas një burimi të Reuters, Witkoff pritet të informojë zyrtarin ukrainas mbi bisedën që pati këtë javë në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, duke shtuar se takimi i sotëm nuk ka si qëllim të fokusohet drejtpërdrejt në planin amerikan të paqes.

Një zyrtar amerikan, që kërkoi anonimat, tha të mërkurën se i dërguari i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, pritej të takoheshin me Umerovin të enjten në Florida.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidencës ukrainase, theksoi në platformën X se “edhe pse procesi diplomatik zhvillohet kryesisht në prapaskenë, qëndrimet janë të qarta”. “Ukraina dëshiron t’i japë fund luftës dhe është e gatshme për bisedime,” shtoi ai.

Që nga prezantimi i planit të Trump gati tre javë më parë, janë zhvilluar disa raunde takimesh me palën ukrainase në Gjenevë dhe në Florida, me synimin për të bërë ndryshime në tekst në favor të Kievit.

Ndërkohë, ushtria ruse vazhdon sot avancimin në front, duke njoftuar se ka marrë nën kontroll zonën Bezimené në rajonin e Donetskut, epiqendra e luftimeve në lindje të Ukrainës.

Nga ana e saj, forca ajrore ukrainase bëri të ditur se Rusia lëshoi 137 drone gjatë natës, prej të cilëve 80 u rrëzuan.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb