Presidenti rus, Vladimir Putin, është pritur me nderimet më të larta në Indi nga homologu i tij Narendra Modi.
Në një video të publikuar nga kryeministri indian, mund të shihet se në ceremoninë e pritjes morën pjesë edhe kalorsë, ndërsa një njësi nderimi bëri paradë për të nderuar presidentin rus, i cili mbërriti me një automjet luksoz.
Kryeministri Modi dhe presidenti Putin u angazhuan për një bashkëpunim më të thellë në fushat e mbrojtjes, tregtisë dhe energjisë, duke theksuar lidhjet strategjike të forta mes dy shteteve.
Modi e lavdëroi “lidershipin dhe vizionin” e presidentit Putin pas nënshkrimit të një sere marrëveshjesh dypalëshe dhe shtoi: Këto dekada kanë sjellë shumë sfida për njerëzimin, por lidhjet mes Rusisë dhe Indisë kanë qenë si Ylli i Veriut.
Vizita e presidentit Putin në Indi, e para pas pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, tregon se Rusia nuk është shndërruar në një shtet të izoluar globalisht, përkundër sanksioneve të gjera dhe akuzave të ngritura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
India dhe Rusia kanë qenë aleatë për dekada të tëra, që nga periudha e Bashkimit Sovjetik.
