Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka dhënë një intervistë për mediat italiane ku ka folur për konfliktet në botë dhe marrëdhënien me SHBA.
“Nëse Evropa dëshiron të jetë e madhe duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten. Kur ia kalon sigurinë dikujt tjetër, duhet të dish se ka një çmim për të paguar. Ajo që ndodhi në samitin e NATO-s është pikërisht kjo; nuk më habiti. Ne e dimë se është një proces i pashmangshëm dhe është një mundësi për ne. Është e qartë se mbrojtja ka një kosto ekonomike dhe krijon liri politike”, tha Meloni.
Ndërsa u ndal tek lufta në Ukrainë, tha se qëndrimi i qeverisë italiane ndaj Ukrainës mbetet i pandryshuar .
“Ne e mbështetëm Ukrainën për të ndërtuar paqen. Paqja nuk ndërtohet me qëllime të mira, por me frenim. Nëse nuk do ta kishim mbështetur Ukrainën, do të kishim pasur një komb të pushtuar dhe do të kishim paguar një çmim. Sot, negociatat janë në zhvillim e sipër falë përpjekjeve tona mbështetëse. Prandaj, qëndrimi i qeverisë duhet të mbetet i njëjtë sepse ne duam të ndërtojmë paqen. Italia ka qenë në gjendje të mbajë një qëndrim serioz dhe të fortë për këtë çështje falë një shumice të bashkuar”, tha ndër të tjera Meloni.
