KORÇË- Policia e Korçës ka zhvilluar një operacion kundër lojërave të fatit. Sipas policisë, janë zbuluar 5 lokale në Korçë dhe në Pogradec të cilat ishin vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Nga ky aksion janë arrestuar dy administratorë lokale, në Korçë dhe në Pogradec. Ndërsa janë proceduar penalisht edhe 6 shtetas të tjerë, administratorë dhe punonjës të lokaleve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

NJOFTIMI I PLOTË- 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Qarku”

Zbulohen 5 lokale në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, të vëna në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Vihen në pranga 2 administratorë lokalesh qytetin e Korçës dhe Pogradecit.

Procedohen penalisht 6 shtetas administratorë dhe punonjës në lokalet e evidentuara gjatë operacionit.

Kapet dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas i shpallur në kërkim 2 ditë më parë, po për lojëra fati.

Sekuestrohen pajisjet që shërbenin për lojëra fati dhe disa telefona.

Si rezultat i kontrollit të kryer, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Pogradec kanë zbuluar disa lokale në qytetin e Korçës dhe Pogradecit, ku organizoheshin lojëra fati.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

J. L., 29 vjeç, banues në Korçë, administratori i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Punësimi i paligjshëm”;

E. M., 26 vjeç, banues në Pogradec, administratori i lokalit, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjatë kontrollit në lokalet që këta shtetas administronin, janë konstatuar monitorë dhe aparate celularë me faqe që shërbenin për vendosjen e basteve sportive, si dhe janë konstatuar punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

M. V., 48 vjeç, banues në Korçë, dhe S. B., 34 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Punësim i paligjshëm”, pasi gjatë kontrollit në lokalet që këta shtetas administronin u konstatuan 2 kamarierë të paregjistruar në organet kompetente.

V. T., 19 vjeç, dhe Ç. P., 42 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

E. Ç., 41 vjeç, banues në Pogradec, pasi u konstatua që biznesi që administronte ishte i paregjistruar në organet kompetente.

D. K., 43 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Deklarim i rremë para oficerëve të Policisë Gjyqësore”.

Gjatë kontrolleve u kap edhe shtetasi N. D., 35 vjeç, banues në Korçë, i shpallur në kërkim 2 ditë më parë, pasi kishte kanosur nëpërmjet telefonit një 18-vjeçar, për një shumë lekësh që i kishte borxh, për vendosjen e basteve sportive që i kishte bërë 35-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: