Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Tenesit, ku një gjysh 50-vjeçar dhe mbesa e tij vetëm tre muajshe u gjetën të vdekur brenda shtëpisë së tyre, pasi u sulmuan nga shtatë qen pit bull, që i përkisnin vetë familjes.
Policia u detyrua të qëllonte dhe të vriste të gjithë qentë për të arritur te viktimat, tha departamenti lokal i policisë. Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite. Sipas raportimeve të New York Post, autoritetet gjetën James Alexander Smith, 50 vjeç, të pajetë brenda banesës. Foshnja tre-muajshe ishte gjallë në momentin e hyrjes së policisë, por me plagë të rënda të shkaktuara nga sulmi i qenve. Ajo ndërroi jetë para se të mund të transportohej për ndihmë mjekësore. Për të ndërhyrë, oficerët u përballën me qentë agresivë dhe u detyruan t’i neutralizonin në vendngjarje.
Fqinjët thanë se qentë ishin të njohur për agresivitet. Brian Kirby, i cili një javë më parë pa pit bull-at duke vrarë macen e tij, tha se pamja ishte “tronditëse dhe e dhimbshme”. Ai kujtoi nënën e foshnjës, të plagosur, duke vrapuar në rrugë dhe kërkuar ndihmë. Rebecca Adams, një banore tjetër, tha se dëgjoi britmat e nënës: “Foshnja ime!” Ajo konfirmoi se qentë shpesh kërcenin gardhin dhe sulmonin kafshë në lagje, por askush nuk kishte imagjinuar një sulm fatal ndaj njerëzve.
Autoritetet po hetojnë historikun e qenve dhe rrethanat familjare që çuan në incident. Trupat e kafshëve janë sekuestruar nga Shërbimi i Kontrollit të Kafshëve Tullahoma, ndërsa policia po mbledh dëshmi të banorëve të zonës. Komuniteti mbetet i tronditur nga tragjedia, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje pronarëve të kafshëve të rrezikshme për kujdes dhe përgjegjësi të shtuar.
