Shirat e pak ditëve më parë kanë shkaktuar probleme të shumta në Bashkinë e Matit, ku rrëshqitjet e dheut kanë vënë në rrezik jetën e dy familjeve në fshatin Fushë Baz. 10 anëtarët e familjes Gjini kanë mbetur pa banesë për shkak të rrëshqitjes së tokës. Toka përreth banesës ka pësuar çarje të mëdha dhe vazhdon të rrëshqasë. E zonja e shtëpisë Flora Gjini tregon momentet e tmerrit kur ju është shembur banesa. Ajo tregon se të gjithë pjesëtarët e familjes ishin brenda në momentin e shembjes dhe kanë dalë jashtë menjëherë.
Flora Gjini thotë se ka marrë ndihmë të menjëhershme nga Bashkia e Matit e cila ka dërguar 2 çadra dhe një mjet për hapjen e një sheshi për vendosjen e dy kontejnerëve si dhe ju është ofruar strehim në qytetin e Burrelit por e kanë refuzuar për shkak se kanë bagëti. Megjithatë, Flora ju bën apel edhe shoqatave e bizneseve që t’i ndihmojnë në këto ditë të vështira.
Specialistët e Mbrojtjes Civile pranë Bashkisë Mat kanë urdhëruar familjen Gjini të mos qëndrojë në pjesën e pa shembur ende të banesës së tyre për shkak të rrezikut të lartë.
