I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në News24 të moderatores Nisida Tufa, Edi Paloka shigjetoi disa opozitarë që kanë ikur nga opozita dhe i janë bashkuar Ramës, ndërsa nuk përdori emra.
Ai tha se brenda PD-së nuk ka krizë përfaqësimi, por duhet ndryshim i strukturës dhe skemës organizuese.
“PD është prej 12 vitesh gati të marrë pushtetin por jemi në një opozitë të imponuar. Kur them nuk jemi në situatën më të mirë, e kam fjalën pikërisht për faktin që jemi në opozitë të imponuar nga pushteti diktaturë, që bën represion. Nën këtë diktaturë për 12 vite nuk është e lehtë, ndaj jemi në këtë situatë sot.
Mjafton të shohim strukturat, mijëra anëtarë të PD janë larguar fare nga Shqipëria, një pjesë nga dëshpërimi dhe lodhja largohen , dalin anash, opozita është e vështirë nuk rezistojnë dot të gjithë.
Ka edhe nga ata që kanë iku sepse i ka joshur Rama. Me punë, leje ndërtime apo fshatra turistike. Janë fakte publike por do të vijë dita që do të flas edhe me emra. Është domosdoshmëri riorganizimi i PD. Duhet mbase të ndryshojmë strukturën dhe skemën, por kjo nis në bazë. Nuk është zgjidhje problemesh nëse heq X apo vë Y në kupolën e PD. Nuk shoh krizë përfaqësimi.
