Një roman që ka në qendër një baba që vuan ende traumat e luftës së dytë botërore, një gjyshe që i ka mbijetuar kampeve të përqendrimit, e rrëfen luftën dhe pasojat e saj përmes syve të një fëmijëve që jeton mes dy gjyshes, e dy kulturash, asaj sllovene dhe gjermane. Shkrimtarja Maja Haderlap, ishte në Tiranë në kuadër të Festivalit të Letërsisë Evropiane dhe foli për ato hapësirat e ndërmjetme, kompleksitetin e jetës në zona minoritare, përplasjet ideologjike që çojnë në luftra, të cilat nuk mbarojnë kur lufta mbaron zyrtarisht, por vazhdojnë përmes jetëve të shkatërruara, frikës dhe turpit dhe atyre pamjeve për përmes kujtesës, rikthejnë ndjesitë e forta të humbjes, ankthit, vdekjes, dhimbjes, varfërisë e atij kontrolli të vazhdueshëm mendor dhe ndjesor që e zotërojnë njeriun deri në fund të jetës, shpesh duke e afruar atë fund.
Në një intervistë për News24, shkrimtarja slloveno-austriake tha se “letërsia është mundësi e mirë për t’iu qasur traumave të mëdha. Ky akses personal në tema të tilla, shmang diskurset e helmuara politikisht. Kertne është në jug të Austrisë, aty kam lindur dhe jam rritur. Historia nuk mund të tregohet në mënyra të thjeshtë dhe mendova të sillja atë që isha unë në atë periudhë, një fëmijë që i dëgjonte këto rrëfenja nga babai dhe gjyshja. Familja ime ishte e komplikuar dhe me disa konflikte të mëdha. Nuk është vetëm historia ime personale, por edhe fqinjëve. Fakti që historia tregohet nga një fëmijë e bën më naiv, sepse fëmija s’ka paragjykime dhe edukim ideologjik. Unë nuk dua të imponoj ngjarjen, doja që lexuesi të hyjë ngadalë e me sukses në këtë histori”, tha ajo.
Në roman, partizanët shihen si heronj nga sllovenët në Kertne, rajon minoraitar, si tradhtar nga austriakët dhe si komunistë në Slloveninë që u bë pjesë e ish Jugosllavisë. “këtë libër s’do kisha mundur ta shkruaja në rini, kam nisur ta shkruar isha 50 vjeç. Tema që trajton libri, nga ana politike, është e guximshme, por edhe sfiduese nga ana emocionale. Unë e dija që shkruaja nga pozita e një të jashtmi. Jam menduar gjatë si ti qasesha kësaj teme, gjeta fëmijën që e çova të në shkuarën, por fëmija mund të përdorej deri në një moment, pjesën e dytë e kam shkruar si e rritur, që i kthehet të shkuarës dhe e përpunon atë të shkuar. Ka qenë sfidë e madhe e personale, sepse duhej jo vetëm kujtim por edhe tekst i formësuar si duhet”, tha Maja Haderlap, që erdhi në Festivalin e organizuar nga Bashkimi Evropian. Ajo foli edhe për raportin me gjuhën gjermane, që ishte gjuhë e pushtuesit, por që u bë gjuha e saj e letërsisë, gjuhë përmes së cilës, ajo rikthehet në Gjermani dhe në hapësirën gjermanofone si shkrimtare. Ajo ndalet te konflikti e të jetuarit mes dy gjuhëve, një konflikt historik e politik, duke dashur që përmes librit ta tejkalojë konfliktin, duke kuptuar të qenit ndryshe.
