Kancelari gjerman Friedrich Merz po zhvillon vizitën e tij të parë në Izrael që prej marrjes së detyrës. Ai mbërriti në Tel Aviv mbrëmjen e së shtunës (6 dhjetor).

Vizita e tij vjen pas thirrjeve të fundit drejtuar presidentit palestinez Mahmud Abbas, të cilit Merz i kërkoi të ndërmarrë “reforma të menjëhershme dhe të domosdoshme”, në mënyrë që Autoriteti Palestinez të mund të luajë një rol real në Gazë pas përfundimit të luftimeve.

Merz është takuar tashmë me presidentin izraelit Isaac Herzog në Jerusalem, ndërsa ditwn e sotme pritet të zhvillojë bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
“Jemi bërë shumë miq të ngushtë dhe për mua është jashtëzakonisht domethënëse dhe prekëse të shoh sistemet Arrow 3 të instalohen në Gjermani për mbrojtjen e Gjermanisë dhe Evropës – produkte të teknologjisë izraelite”, tha Herzog, sipas deklaratave të publikuara nga zyra e tij.

Ai shtoi se Gjermania ka një “rol shumë të rëndësishëm” në krijimin e një “perspektive të re” për izraelitët, palestinezët dhe gjithë rajonin.
“Siç e dimë, përballemi me një perandori të së keqes që vjen nga Teherani, dhe për këtë arsye ekuilibri botëror është shumë i qartë. Ne mbrojmë Evropën dhe po punojmë pa pushim për të përgatitur ditën pasuese për Gazën”, theksoi Herzog.

Nga ana e tij, Merz u shpreh: “Nuk mund të takoheshim në një moment më të vështirë dhe kompleks. E dini që Gjermania qëndron fort në krah të Izraelit, sidomos pas sulmit të tmerrshëm të Hamasit më 7 tetor 2023.”

“Që atëherë kemi arritur të thellojmë dhe të forcojmë akoma më shumë miqësinë tonë, dhe e dini se do të jemi gjithmonë në krahun e Izraelit. Kjo miqësi, për ne, vazhdon të jetë një mrekulli”, shtoi ai.

Vizita e Merz në Izrael vjen pas ndalesës së tij në Akaba të Jordanisë, ku u takua me mbretin Abdullah II. Në aeroportin Ben Gurion, ai u prit nga ministri izraelit i Jashtëm, Gideon Sa’ar, i cili e quajti atë “mik të Izraelit” dhe vuri në dukje rolin vendimtar të Gjermanisë si partner strategjik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb