Mes Serie A, Champions dhe Kupës, Napoli siguroi fitoren e 5-të radhazi, një ecuri shumë pozitive që konfirmon rikthimin e bluve në garë me kohë të plotë. Në “Maradona”, Conte priti të kaluarën e tij të famshme, Juventus, ndërsa Spalletti u rikthye për herë të parë si rival në Napoli pasi i kishte dhuruar më parë titullin e tretë në histori, një rikthim i hidhur ky për teknikun e “Zonjës së Vjetër” pasi Conte triumfoi 2-1 duke kapur kreun e Serie A në kuotën e 31 pikëve, plus 1 nga Inter.

Njeriu i ndeshjes ishte Hojlund, me danezin që realizoi një “dopietë” golash. Shtatë minuta lojë i mjaftuan Hojlund për të realizuar golin e parë, i shërbyer në zonë nga Neres. Me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 59-të, Yildiz barazoi shifrat në 1-1 pas një goditje të saktë brenda në zonë. Të shtyrë dhe nga një publik i zjarrtë, Napoli gjeti edhe golin e dytë, ku në minutën e 78-të, Hojlund me kokë brenda në zonë dërgoi sërish topin në rrjetë duke i dhuruar bluve një trepikësh të artë pasi rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.

Feston për këtë fitore të madhe trajneri Conte: “Në një moment kaq të vështirë në nivel numerik po bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Kush luan po përgjigjet me personalitet. Djemtë janë rritur shumë dhe kjo më mbush me krenari”, u shpreh Conte.

Pranon dominim e Napolit edhe Spalletti, fundja edhe shifrat e tregojnë këtë pasi Juve goditi vetëm 1 herë kuadratin: “Ata ishin më të fortë. Na detyruan të vraponim, ata janë një skuadër e fortë, në gjendje të mirë, por kanë edhe cilësi”, u shpreh Spalletti. Suksesi i Napolit ndaj Juves mori faqet e para të mediave italiane:

“E sheh çfarë Napoli, Conte në krye, Spalletti -8”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Kryevepër e Contes, dopietë e Hojlund”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb