Jashtë Evrope dhe Kupës në Itali, Milan tani është i fokusuar totalisht te gara në Serie A. Drejtuesit e “djallit” insistojnë se objektiv mbetet vetëm rikthimi në Champions, por në kushte të tilla me vetëm një ndeshje në javë, Milan pa diskutim do të luajë për titull, por ky objektiv është i lidhur ngushtë edhe me merkaton e janarit. Igli Tare do të kërkojë me çdo kusht t’i vendos në dispozicion trajnerit Allegri një sulmues të ri, për këtë arsye Tare ka planifikuar një takim kokë me kokë me super agjentin Pini Zahavi, i cili menaxhon Nkunku dhe Robert Lewandowski.
Tare kërkon të kuptojë nga agjenti i polakut nëse ekziston mundësia që Lewa të transferohet në Milano, sigurisht edhe kushtet financiare. Lewandowski ka një kontratë me Barcelonën deri në 2026, vetëm në fund të këtij sezoni mund të zbarkojë falas, është thuajse e pamundur që polaku të largohet nga Barcelona në janar.
Në këtë pikë, në skenë del edhe opsioni Nkunku, me Tare që kërkon të përfshijë në negociata ish sulmuesin e Chelsea-t. Nkunku zbarkoi në Milano gjatë verës për 38 milionë euro, plus 4 bonuse, por deri në këtë pikë të sezonit ka zhgënjyer totalisht. Tare është i gatshëm t’i jap Barçës sulmuesin francez, në mënyrë që Flick të lë të lirë Lewandowskin.
Sigurisht bëhet fjalë për një operacion jo të lehtë, por përcaktues do të jetë dëshira e lojtarit, nëse polaku është i gatshëm apo jo për të nisur një aventure të re në Serie A.
